HÉCATOMBE

13 qershori, dita e sulmit izraelit ndaj Iranit paraqet një momentum kritik në politikën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të dekadës së tretë të shek. XXI. Këtë e thekson edhe sociologu, politologu dhe islamologu më i dalluar francez Gilles Kepel (1955), në artikullin «Après les frappes israéliennes, par-delà le Moyen-Orient, le monde entier retient son souffle», të botuar një ditë më pas (14 qershor) në të famshmen Le Figaro.

Në këtë shkrim Kepel tregon se pas kësaj ndërmarrjeje ajrore, jo vetëm Lindja e Mesme por e gjithë bota mban frymën, është në emocionalitet të lartë, në pritje me frikë ose pasiguri për atë që do të ndodhë; në të autori shpërfaq njëq ngarkesë të fortë dramatike tregon alarmin global dhe drojën nga përshkallëzimi i konfliktit që mund të ketë pasoja fatale. Kepel e sheh ofensivën e Izraelit si një manovër strategjike të Netanjahut për të ringjallur mbështetjen e brendshme, duke mbuluar turbulencat shoqërore me një aksion të jashtëm. Sipas tij ky hap e prish agjendën e 12 prillit kur kishin filluar bisedimet për çështjen bërthamore, ndërmjetësuar nga Sulltanati i Omanit, midis ekipit të Donald Trump-it dhe qeverisë iraniane, dhe po qarkullonin skenarë mbi përfshirjen e një Irani “të përmbajtur” në komunitetin ndërkombëtar. 

Kepel krizën e këtyre ditëve e përshkruan si një pikë kthese, jo vetëm në marrëdhëniet mes Izraelit dhe Iranit, por edhe për rendin global të udhëhequr nga Perëndimi që prej vitit 1945. Duke e lidhur këtë sulm me kalkulime politike interne, ai paralajmëron: kjo mund të mos jetë thjesht një luftë rajonale – por një zhvillim që mund të destabilizojë normat ndërkombëtare, aleancat globale dhe të hapë rrugën për një epokë të re konflikti botëror.

Në këtë drejtim ai përmend përplasjen Jug-Veri që po e zëvendëson atë të Luftës së Ftohtë Lindje-Perëndim; në këtë drejtim popujt jugorë i perceptojnë veriorët si si entitet që fshihet pas fasadës së progresit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut, përgjegjës për “gjenocidin kolonial” të ushtruar veçanërisht përmes mbështetjes së tyre për Izraelin. (entrevue.fr)

Kepel, i specialuzar për islamin politik dhe islamizmin radikal, në veprën Holocaustes. Israël, Gaza et la guerre contre l’Occident (Holokaustet. Izraeli, Gaza, dhe luftë kundër Perëndimit) mbështet ekzistencën e Izraelit dhe të drejtën për t’u vetëmbrojtur, por klith kundër ndëshkimit të tmerrshëm kolektiv të ushtruar ndaj popullsisë së Gazës, e cila është e burgosur brenda territorit të saj, e bllokuar, pa mundësi për akces në gjërat elementare për jetë. Sipas tij, ‘magisteriumi’ politik perëndimor mbi planetin pas vitit 1945 po shkon drejt një diskreditimi global. (2024) Rendi ndërkombëtar liberal, Pax Americana e vendosur pas Luftës së Dytë Botërore, vazhdimisht ka mbyllur sytë ndaj shkeljes sistematike të rezolutave të OKB-së për kolonizimin e paligjshëm të territoreve palestineze (Franchon, 2024). 

Ai shpreh një kritikë të ashpër edhe ndaj instrumentalizimit të Holokaustit (Shoah) të dikurshëm për të justifikuar ose mbuluar një tjetër Holokaust. Në këtë kontekst ai përdor shumësin ‘holokauste’, për çka ka tërhequr kritika të ashpra nga qarqet e ndryshme proizraelite. Sipas tij, janë shumë të rrezikshme skemat e besimeve thellësisht të rrënjosura edhe te palestinezët edhe te izraelitët që lidhen me të drejta dhe fitore hyjnore, duke përzier teologjinë me politikën. (al-Rumaihi, 2024) Si pasojë e moszgjidhjes së çështjes “Palestinë”, sot, diskursi anti-perëndimor po lulëzon mbi hirin e Gazës dhe më gjerë. Gilles Kepel më tej shton se nëse Perëndimi nuk arrin të ndërtojë një shtet palestinez të qëndrueshëm, ‘do të pësojë një disfatë strategjike nga një bosht joliberal’.” (Fernandez, 2024)

Do të ishte skenar ideal sikur punët të shkonin konform një vepre tjetër të Kepelit, Away from Chaos (Larg kaosit), por realiteti i dy viteve të fundit më tepër i përngjan asaj që ai e quan ‘kasaphana hécatombe’ (nga greqishtja, κατόμβη), shprehje kjo të cilën ky mendimtar e përdor për të nënvizuar brutalitetin ekstrem dhe humbjen masive të jetëve gjatë konfliktit. Hécatombe është metaforë e një masakre në shkallë të gjerë, e një shfarosjeje masive, shpesh me konotacion të sakrificës tragjike ose të katastrofës së civilëve.

Tezën se Lindja e Mesme është shndërruar në një skenë hekatombi e pohon edhe António Guterres. Zgjidhjen më të mirë të konfliktit në këtë gjeografi të ‘vdekjes së lirë’ me gjasë e ka propozuar Edward Saidi: “Bring Palestine to history” (Silleni Palestinën në histori!); bëjeni këtë vend shtet në mënyrë që të ndalojë ky tmerr, ky gjenocid që s’lë të qetë asnjë njeri me ndërgjegje të gjallë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.