“Të rresh a të mos rresh” sonte premierë në Shkup, Istrefi: Përveç zbavitjes, komedia të shtyn të mendosh edhe për moralin e gënjeshtrës
Sonte me datë (16 qershor), në Teatrin Shqiptar në Shkup, me fillim nga ora 20:00, jepet premiera e shfaqjes “Të rresh a të mos rresh”, përshtatur nga “The lying kind”, të autorit Anthony Neilson, nën regji të Shkumbin Istrefit, shkruan Portalb.mk.
Regjisori i shfaqjes Shkumbin Istrefi për Portalb.mk tha se titulli është intrigues dhe reflekton dilemën që kanë personazhet kryesore, në detyrën që kanë.
“Mendoj që titulli është intrigues dhe reflekton dilemën që kanë personazhet kryesore, në detyrën që kanë. Personazhet kryesore janë dy policë, të cilët e kanë për detyrë t’ia japin një çifti të moshuar një lajm të hidhur. Ky është edhe thelbi i problemit që trajton shfaqja. Duke e konsideruar dhënien e lajmit si një detyrë të rëndë, personazhet kryesore ngatërrohen në vorbullin e rrenave që quhen “rrena të lehta”, tha Istrefi.
Ai shtoi se tema nuk është gënjeshtra apo rrena si e quajnë ata, por ato janë zgjedhjet që bëjnë personazhet duke dashur t’i ikin thelbit.
“Tema nuk është gënjeshtra apo rrena si e quajmë ne, por ato janë “zgjedhjet” që bëjnë personazhet duke dashur t’i ikin thelbit. Në këtë mënyrë lindin situatat komike dhe tragjikomike, të cilat janë shumë të afërta me përditshmërinë, dhe të cilat prodhojnë një komedi qe sipas meje, lind nga problem, nga halli, dhe jo nga humori estradesk. Unë vetëm e kam përkthyer dhe përshtatur, ndërsa dialogjet i kemi përshtatur në dialect bashkarisht me aktorët e shfaqjes gjatë punës. Gënjeshtra është tentim të iken nga thelbi I problemit, dhe kjo sjell situate komike”, tha Istrefi.

Istrefi tha se përmes kësaj komedie përveç zbavitjes së publikut, i shtyn të mendojnë edhe për moralin e gënjeshtrës.
“Besoj që ka shumë mesazhe, por qëllimi kryesor i imi dhe i ekipit është që publikut t’i ofrojmë një komedi e cila përveç zbavitjes, i shtyn të mendojnë edhe për moralin e gënjeshtrës”, tha Istrefi.
Ai potencoi se kjo komedi përveç zbavitjes, vlenë që audienca të vetëdijësohet për problemet e ndryshme shoqërore.
“Komedia në princip shërben (përveç zbavitjes), që audienca të vetëdijësohet për problemet, hallet apo fenomenet e përditshme të cilat i paraqiten nga një këndvështrim jo i ngarkuar, por një këndvështrim që i relakson, zbavit dhe i vetëdijëson. Në kohën që kam qëndruar në Shkup, kam vërejtur që shqiptarët këtu përdorin mjaft barbarizma në gjuhën e tyre të përditshme. Duke e vërejtur këtë, kam insistuar që të përdoren edhe në shfaqje, me motivin që audienca e cila vjen të shikojë shfaqjen, të vetëdijësohet dhe eventualisht të fillojë t’i heq nga përdorimi në jetën e përditshme. Është e çuditshme sa normale tingëllon një barbarizëm në jetë dhe sa e rëndë tingëllon në skenë. Dhe mendoj që pikërisht skena, duke pasqyruar këtë fenomen, mund të ndikojë në vetëdijësimin e shoqërisë në këtë aspekt, tha Istrefi.

Në shfaqje luajnë aktorët: Visar Etemi, Blerim Dardhishta, Vebi Qerimi, Teuta Ajdini Jegeni, Fisnik Zeqiri, Dritëro Ame, Gentiana Ramadani dhe Melika Kastrati.
