Hamza pranoi, Gjini refuzoi ftesën e Kurtit për takim

Ftesës së kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje për takim për të diskutuar për formimin e institucioneve i është përgjigjur pozitivisht kryetari i PDK-së Bedri Hamza, ndërkohë që kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, e ka refuzuar takimin, raporton Koha.net.

Kurti, që është edhe kryeministër në detyrë, i ka ftuar në takim kryetarët e partive që në mandatin e kaluar kanë qenë në opozitë, për të diskutuar për formimin e institucioneve pas zgjedhjeve të 7 qershorit, në ditën kur ka hyrë në fuqi afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit.

Pas ftesës së Kurtit PDK-ja ka mbajtur një mbledhje të Kryesisë.

Pas mbledhjes Hamza ka thënë se kjo parti e ka më me prioritet adresimin e sfidave të Kosovës sesa ndarjen e posteve.

“Unë do të sillem në mënyrë të përgjegjshme dhe institucionale. Nuk jam kundër që të ketë takime, mirëpo para se të flasim për pozitat e kam thënë dhe e ripërsëris është tepër e rëndësishme prioritetet, vizioni për të ardhmen, programi, adresimi i sfidave të cilat i ka Kosova. Nëse nuk ka dakordim për këto, nuk është qëllimi i PDK-së të ketë një numër të caktuar të ministrive, të ketë një kryetar kuvendi, presidentin apo sidoqoftë”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë Gjini, kryetar i Aleancës, ka thënë se nuk e sheh të nevojshëm takimin me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për të diskutuar për formimin e institucioneve.

Në një letër publike, Gjini ka thënë Aleanca është e gatshme të ndihmojë në kuorum për zgjedhjen e presidentit po që se Kurti i pranon gjashtë pikat e ofertuara nga AAK-ja.

“Më datën 26 qershor 2026, kam prezantuar publikisht ofertën tonë për mbështetjen e themelimit të institucioneve të reja të Kosovës. Aleanca është e gatshme pa kushte ose kërkesa vetjake të ndihmojë në bërjen e kuorumit për zgjedhjen president-es, nëse mandatari për krijimin e Qeverisë i pranon gjashtë pikat e ofertës sonë. Kjo ofertë ka për qëllim që ta shtyjmë përpara zhvillimin ekonomik të Kosovës, forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit dhe, njëkohësisht, të mos e dërgojë vendin edhe njëherë në zgjedhje. Duke e pasur parasysh qëndrimin tonë të qartë dhe parimor, nuk e shohim të nevojshëm takimin”, thuhet në letrën e Gjinit.

LDK-ja dhe kryetari i saj Lumir Abdixhiku, ende nuk kanë dalë me një qëndrim për ftesën për takim. Kryesia e LDK-së është mbledhur në një takim të enjten, i cili ishte paralajmëruar se do të mbahej edhe para se Kurti t’i ftonte në takim.

Eksponentë të kësaj partie kanë thënë se në takim do të flasin edhe për ftesën e Kurtit për takim.

Sot (e enjte) ka hyrë në fuqi afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit. Deputetët e rinj kanë kohë për ta konstituuar legjislaturën e njëmbëdhjetë të Kuvendit deri më 7 gusht.

Në zgjedhjet e 7 qershorit, LVV-ja mori 53 deputetë, PDK-ja 22, LDK-ja 18 e Aleanca 7.

Konstituimi i Kuvendit dhe zgjedhja e qeverisë nuk do të jenë problem për Vetëvendosjen, pasi ka fituar 53 mandate dhe nevojiten 61 vota që edhe sipas deklarimeve të zyrtarëve të saj i ka, duke llogaritur në votat e deputetëve të pakicave, pa përfshirë ata të Listës Serbe.

E për presidentin duhen 80 vota, e që nënkupton se nevojitet edhe pjesëmarrja e PDK-së ose LDK-së.

Presidenti duhet të zgjidhet brenda 60 ditëve nga konstituimi i Kuvendit.