Haqim Ramadani: Më dërguan letër në thelb kërcënuese, tani presin vetëm momentin e “shkarkimit” nga posti i drejtorit

Ish-kandidati për kryetar të komunë së Bërvenicës, Haqim Ramadani në rrjetet sociale informoi se ka marrë një letër “përkëdhelës”, por në fakt, ai këtë e cilëson si kërcënim, duke shtuar se pushteti tani pret vetëm momentin për ta  “shkarkuar” edhe juridikisht nga posti i drejtorit të Inspektoratit Shtetëror për Vetëqeverisje Lokale, transmeton Portalb.mk.

“Ju më shkarkuar pa pyetur Izet Mexhiti i cili më ngarkoj apo më emëroi në këtë detyrë! Sot, më paskan dërguar një letër përkëdhelëse, por në thelb kërcënuese. E nderuar sekretare shtetërore Juliana, e kuptoj shqetësimin dhe presionin që po tentoni të ushtroni përmes telefonit. Ligjërisht nuk kishit asnjë të drejtë. Nga dita kur shpallen zgjedhjet, kryeministri nuk mund as të emërojë, as të shkarkojë. E megjithatë, më shkarkuat moralisht nga institucioni. Tani, ndoshta prisni vetëm momentin të më “shkarkoni” edhe juridikisht. Por nuk më dhemb pse ujku më hëngri delet e mia, më dhemb pse edhe qentë e kopesë sime iu bashkuan në atë ngrënie. Më keni tentuar të më ulni, të më poshtëroni, të më fshini autoritetin. Por autoriteti nuk jepet me dekret dhe as nuk merret me letër. Ai ndërtohet me ndershmëri, me qëndresë dhe me dinjitet – vlera që ju s’i njihni”, shkruan Ramadani në profilin e tij në Facebook.

Në letër thuhet:

“Njoftim me një kërkesë për veprim urgjent. Me vendim të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut nr. 03/47/1 të datës 28.02.2025, jeni emëruar drejtor të Inspektoratit Shtetëror të Vetëqeverisjes Lokale. Me vendimin për dhënien e autorizimit të përgjithshëm nr. 14-456/1 të datës 17.02.2025, vendimin për autorizim nr. 04-486/1 të datës 19.02.2025 dhe vendimin për autorizim 03-837/1 të datës 28.03.2025, të gjithë Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale, ju është dhënë autorizim për veprimet tuaja në kryerjen e funksionit për të cilin jeni emëruar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Për shkak të gjendjes së konstatuar të ngecjes në kryerjen e detyrimeve tuaja që rrjedhin nga emërimi dhe autorizimet, bazuar në vendimet e lartpërmendura, u krye një inspektim i të dhënave të punësimit, me anë të të cilit u konstatua se në përputhje me vendimin për lejen vjetore, ju keni shfrytëzuar ditët e lejes vjetore për vitin 2025, deri më datën 04.11.2025, përfshirë. Njëkohësisht, është përcaktuar se, pas skadimit të ditëve të përcaktuara me vendimin për lejen vjetore dhe që përfundon më 12 nëntor 2025, ju nuk keni ndërmarrë asnjë veprim në drejtim të kryerjes së detyrimeve tuaja të rregullta të punës që rrjedhin nga emërimi dhe autorizimet e dhëna. Për shkak të mosveprimit tuaj, nuk ndërmerrni ato veprime që janë urgjente dhe të nevojshme për funksionimin e Inspektoratit Shtetëror të Vetëqeverisjes Vendore. Duke marrë parasysh faktin se një mosveprim i tillë mund të çojë në pasoja të dëmshme për inspektoratin, si dhe në dëme ndaj palëve të treta, me këtë letër ju bëjmë thirrje që, urgjentisht dhe sa më shpejt të jetë e mundur, të veproni në përputhje me rrethanat, pra të ndërmerrni të gjitha veprimet e nevojshme që janë të nevojshme për funksionimin e tij të rregullt. Ju informojmë se nëse nuk veproni sipas kësaj letre, mosveprimi juaj do t’u raportohet të gjitha institucioneve shtetërore kompetente dhe ju, si personi përgjegjës, do të mbani përgjegjësi të plotë për çdo dëm të mundshëm që dikush mund të pësojë për shkak të mosveprimit tuaj sipas kësaj letre”, thuhet në letrën e dërguar nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale”.

Ramadani humbi garën përballë kandidatit të VMRO-së Ivica Ilievski, me 150 vota dallim, për çka ai mendon se janë bërë pazare. Pas kësaj, ai, kërkoi takim urgjent me OSBE-në, ODIHR-in, Ambasadën e SHBA-së dhe organizata të tjera ndërkombëtare për të diskutuar parregullsitë që thotë se kanë ndodhur gjatë procesit zgjedhor. Ramadani paralajmëroi se do të publikojë të gjitha padrejtësitë dhe “pazaret e pista” që thotë se janë bërë nga drejtues të partive shqiptare.