Grupi Blueprint: Këshilli Gjyqësor vijon me veprime të paligjshme dhe jotransparente
Grupi Blueprint për reforma në drejtësi shprehu sot shqetësimin serioz për zhvillimet e fundit në Këshillin Gjyqësor të RMV-së. Siç thuhet në reagimin publik të grupit Blueprint, dje në një hark kohor prej më pak se katër orësh, Këshilli Gjyqësor mbajti tre seanca të ndara “në të cilat, në vend që të korrigjonte gabimet e bëra në seancën e 26 prillit, 2023, vazhdoi me shkeljen së dispozitave të Ligjit për Këshillin Gjyqësor”, transmeton Portalb.mk.
“Është veçanërisht shkatërruese që shumica e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të RMV-së mbetën të shurdhër ndaj vërejtjeve të një numri të madh të ekspertëve kryesorë ligjorë, organizatave të shoqërisë civile dhe mediave se seancën e mbajtur më 26.04.2023 u bë një shkelje flagrante dhe e papranueshme e Ligjit për Këshillin Gjyqësor. dhe e Rregullores së punës së Këshillit Gjyqësor. Fatkeqësisht dhe në dëm të shtetit të së drejtës, anëtarët e Këshillit Gjyqësor bënë përpjekje të pasuksesshme për të “legjitimuar” veprimet e tyre të kundërligjshme nga data 26.04.2023, përsëri në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Këshillin Gjyqësor dhe Rregulloren që rregullojnë punën e Këshillit Gjyqësor”, thanë nga Grupi Blueprint.
Siç thuhet në reagimin e grupit Blueprint për zhvillimet në Këshillin Gjyqësor, në dy nga tre seancat e mbajtura dje “publiku është përjashtuar në mënyrë të paligjshme duke iu referuar Nenit 39 paragrafi 2 të Ligjit për Këshillin Gjyqësor, sipas të cilit publiku mund të përjashtohet vetëm dhe vetëm “për mbrojtjen e reputacionit dhe integritetit të gjyqtarit apo kandidatit për gjyqtar”, gjë që nuk ishte rasti. Një arsyetim i tillë është krejtësisht i pabazuar, thuhet në reagimin e organizatave të shoqërisë civile.
Një problem tjetër flagrant, i vënë në dukje nga organizatat e shoqërisë civile që ndjekin reformat në drejtësi, është se, në kundërshtim me nenin 38 të Ligjit për Këshillin Gjyqësor dhe nenin 11 të Rregullores së Këshillit Gjyqësor, seanca caktohet 15 minuta para fillimit, jashtë orarit të punës së Këshillit Gjyqësor.
“Këto zhvillime do të shkaktojnë një njollë veçanërisht të zezë në gjyqësorin në tërësi, ndonëse përgjegjësinë e kanë para së gjithash anëtarët e Këshillit Gjyqësor dhe do të ndikojnë negativisht edhe më tej në besimin në gjyqësor, i cili tashmë është në një nivel të ulët të palakmueshëm. U bëjmë thirrje të gjitha palëve të interesuara, përfshirë edhe anëtarët e Këshillit Gjyqësor, që të jenë të denjë për pozitën që e kryejnë dhe të marrin masa për të përcaktuar përgjegjësinë individuale për shkeljet e bëra të Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thanë organizatat joqeveritare.
Sot më herët gjatë ditës, ministri i Drejtësisë Krenar Lloga u takua me kryetaren e Gjykatës Supreme Besa Ademi dhe kryetarin e Grupit Punues për përgatitjen e Strategjisë për Reformimin e Sektorit Gjyqësor, akademikun Vllado Kambovski. Në takimin e mbajtur në Gjykatën Supreme, ata diskutuan për situatën në gjyqësor dhe tejkalimin e problemeve me të cilat përballen institucione të caktuara, përkatësisht Këshilli Gjyqësor.
Ndryshe, Këshilli Gjyqësor tanimë disa ditë është në shënjestër të kritikave për mënyrën e shkarkimit të kryetares Vesna Dameva.
Gjatë ditës së djeshme, Këshilli Gjyqësor i Maqedonisë në ora 16.30 e mbajti mbledhjen e jashtëzakonshme në të cilën u zgjodh kryetari i ri, Sashko Georgiev, pasi që më 26 prill u shkarkua nga funksionini kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Dameva. Megjithatë, para kësaj, Këshilli Gjyqësor, ka mbajtur edhe dy mbledhje të jashtëzakonshme, por të njëjtat kanë qenë të fshehta, pa praninë e gazetarëve.
Në mbledhjen e parë e cila është mbajtur me dyer të mbyllura në ora 13.30, sipas njoftimit të Këshillit Gjyqësor të RMV-së, është shfuqizuar vendimi i 26 prillit për shkarkimin e kryetares Vesna Dameva.
Gjysmë ore më vonë, Këshilli sërish është mbledhur, gjithashtu me dyer të mbyllura dhe sërish e ka shkarkuar Damevën, por për dallim prej herës së parë kur numri i votave për shkarkim ishte i diskutueshëm gjegjësisht 7, këtë herë me 9 anëtarë të Këshillit Gjyqësor kanë miratuar shkarkimin e Damevës.
Sipas njoftimit, njëkohësisht është miratuar vendim me të cilën konstatohet dorëheqje e Selim Ademit nga pozita e nënkryetarit të Këshillit Gjyqësor, por me veprim të vonuar deri në zgjedhjen e kryetarit të Këshillit Gjyqësor të RMV-së, publikimin e vendimit për zgjedhje në Gazetën Zyrtare të RMV-së dhe regjistrimin e tij në Regjistrin Qendror si nënshkrues i autorizuar i të gjitha akteve dhe llogarive të Këshillit.
Pasi kanë mbaruar dy mbledhjet me dyer të mbyllura, për të cilat nuk kanë qenë të njoftuara mediat, Këshilli Gjyqësor ftoi mediat në mbledhje të jashtëzakonshme për në ora 16.30 ku pas disa minutave, anëtari i Këshillit Gjyqësor, Hanif Zendeli e propozoi për kryetar Sashko Gjeorgievin ndërkaq në votim, ai mori 8 vota “për” dhe 4 “kundër. Në seancë mungoi kryetarja e shkarkuar, Vesna Dameva.
- LEXO: Sashko Georgiev u zgjodh kryetar i Këshillit Gjyqësor të RMV-së
- LEXO: Krenar Lloga i befasuar me “mungesën e njohurive” të kryetarit të Këshillit të Prokurorëve
- LEXO: Tufegxhiq: Nuk është paraparë shkarkim i kryetarit të Këshillit
- LEXO: Geer: Jemi të shqetësuar, në shumë raste të korrupsionit të lartë ka veprime që çojnë në vjetërsimin e lëndëve
- LEXO: RMV, dështoi edhe përpjekja e dytë e Këshillit Gjyqësor për të zgjedhur kryetarin e ri
- LEXO: Kërkimi llogari nga gjykatësi që e shpëtoi Mijallkovin është arsyeja e mundshme për kaosin në Këshillin gjyqësore, konsideron gjykatësja Vera Koco
- LEXO: Selim Ademi: “Kryelartësia femërore”, arsyeja e shkarkimit të Damevës, zihej me gratë tjera
- LEXO: Reagimet për shkarkimin e Damevës nuk po pakësohen, ndërsa besimi te drejtësia dobësohet edhe më tej