Presidenti rus Putin do të vizitojë këtë javë Kinën

Presidenti rus Vladimir Putin do të bëjë një vizitë dyditore në Kinë këtë javë, njoftoi të martën ministria e Jashtme kineze. Vizita shihet si një demonstrim i unitetit mes dy vendeve autoritare aleate, përballë Perëndimit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, raporton VOA.

Presidenti rus Putin do të takohet me udhëheqësin kinez Xi Jinping gjatë vizitës që fillon të enjten, tha Ministria e Jashtme kineze, që njoftoi se dy udhëheqësit do të diskutojnë rreth “bashkëpunimit në fusha të ndryshme të marrëdhënieve dypalëshe… si dhe çështje ndërkombëtare dhe rajonale të interesit të ndërsjellë”. Nuk u dhanë detaje të mëtejshme.

Kremlini konfirmoi vizitën dhe u shpreh se zoti Putin do të niset me ftesë të zotit Xi, në udhëtimin e tij të parë jashtë vendit që kur mori mandatin e tij të pestë si president i Rusisë.

Kina ka mbështetur politikisht Rusinë në konfliktin në Ukrainë dhe ka vazhduar ta furnizojë me pjesë makinerish, pjesë elektronike dhe mallra të tjera që shihen si një kontribut për luftën e Rusisë, por pa i dërguar asaj realisht armatime.

Kina shërben si tregu kryesor për eksportet energjetike ruse, duke mundësuar kështu financimin e vazhdueshëm të Kremlinit.

Kina është munduar të paraqitet me imazhin e një pale neutrale në këtë konflikt, por ka shpallur një partneritet “pa kufij” me Rusinë përkundër Perëndimit. Dy vendet kanë zhvilluar një seri stërvitjesh të përbashkëta ushtarake dhe Kina ka kundërshtuar vazhdimisht sanksionet ekonomike të vendosura ndaj Rusisë për shkak të sulmit të saj dyvjeçar në Ukrainë.

Dy vendet autoritare me përmasa gjeografiket të pothuajse një kontinenti janë angazhuar në mosmarrëveshje gjithnjë e më të mëdha me vendet demokratike dhe me NATO-n, ndërsa përpiqen të rrisin influencën në Afrikë, Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Jugut.

Vizita e zotit Putin bëhet vetëm pak ditë përpara inaugurimit të presidentit të ri të Tajvanit, William Lai Ching-te. Kina e konsideron këtë ishull të vetëqeverisur demokratik si pjesë të territorit të saj dhe kërcënon se do ta aneksojë me forcë, nëse do të jetë e nevojshme.

Zoti Xi u rikthye në Kinë pas një vizite pesë-ditore në Evropë, me vizita ndër të tjera në Hungari dhe Serbi, vende që mendohet se mbajnë lidhje të ngushta me Rusinë. Ky ishte udhëtimi i parë në pesë vite i zotit Xi në Evropë dhe u pa si një përpjekje për të rritur influencën e Kinës dhe për të krijuar përçarje mes BE-së dhe NATO-s nga njëra anë dhe nga ana tjetër një blloku vendesh autoritare ende të paravijzuar qartë. Në sfond vazhdon ndërkohë të ushtrojë ndikim influenca ekonomike e Kinës, megjithëse është lëkundur pesha e saj për shkak të krizës së strehimit dhe rënies së rritjes së brendshme ekonomike të vendit.