Grindja Trump-Musk sjell pasiguri për të ardhmen e NASA-s, 40 misione në rrezik

Një përplasje mes ish-Presidentit Donald Trump dhe Elon Musk për një projektligj të madh shpenzimesh ka krijuar pasiguri serioze mbi të ardhmen e buxhetit të NASA-s, e cila tashmë përballet me shkurtime të thella, raporton Euronews.

Agjencia hapësinore ka paraqitur kërkesën e saj për buxhetin e ri në Kongres, ku parashikon një reduktim të ndjeshëm të fondeve për projektet shkencore — deri në 50%.

Si rezultat, 40 misione shkencore që janë aktualisht në zhvillim ose tashmë në orbitë rrezikojnë të pezullohen. Shkencëtarët paralajmërojnë se këto lëvizje po tronditin themelin e bashkëpunimit dhe planifikimit afatgjatë, mbi të cilat mbështetet eksplorimi hapësinor.

Tensionet janë përshkallëzuar më tej pasi Trump ka kërcënuar me tërheqjen e kontratave federale për kompaninë e Musk, SpaceX, e cila është një furnizues kyç për NASA-n. Agjencia hapësinore varet nga raketat Falcon 9 për furnizimin e Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor dhe pret të përdorë Starship për misionet në Hënë dhe Mars.

Dr. Simeon Barber nga Universiteti i Hapur në Mbretërinë e Bashkuar e ka quajtur situatën “të frikshme”, duke theksuar se lëkundjet politike po minojnë bazat e programit hapësinor.

Ndërkohë, shqetësimet janë rritur për shkurtimet që po vijnë nga Shtëpia e Bardhë. Të gjitha sektorët e NASA-s pritet të preken, përveç programit për dërgimin e astronautëve në Mars, i cili ka përfituar një shtesë prej 100 milionë dollarësh.

Sipas Casey Dreier nga Shoqëria Planetare, këto shkurtime përbëjnë “krizën më të madhe që ka përballuar ndonjëherë programi hapësinor amerikan”.

NASA e ka justifikuar kërkesën për shkurtim duke deklaruar se po përqendrohet në misionet thelbësore për eksplorimin e Hënës dhe Marsit, duke përshtatur në këtë mënyrë portofolin e saj me prioritetet strategjike.