Gordana Jankulloska do të lirohet përkohësisht nga burgu

Gjykata e Apelit në Shkup ka pranuar ankesën e Gordana Jankulloskës, me çka e liron atë nga burgu, përcjell TV21. Siç theksohet, ajo do të lirohet me 1 nëntor.

“Duke vepruar në bazë të lëndës KR-133/23, Këshilli Penal i Gjykatës së Apeliit në Shkup ka marrë aktvendim me të cilin e refuzon si të pabazë ankesën e Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shkup, ndërsa pranoi ankesën e të dënuarës Gordana Jankulloska nga Shkupi, me të cilën vendimi i Këshillit Penal të Gjykatës Themelore Penale Shkup e ndryshoi dhe e liron të dënuarën më 01.11.2023 nga vuajtja e dënimit me burg, me kusht që të mos kryejë vepër të re deri në datën përfundimi të lirimit, 28.09.2024”, thuhet mes tjerash në njoftim.

Ndryshe, ish-ministrja Jankulloska po vuan dënim me burg për rastin “Tanku”, për furnizimin e paligjshëm të Mercedesit të famshëm. Ajo në vitin 2018 dënua me gjithsej 6 vjet burg, ndërsa Gjykata e Apelit paraprakisht ia uli dënimin në 4 vjet.

Kujtojmë se Gjykata e Apelit në Shkup, në korrik të këtij viti, i uli dënimet për një pjesë të të dënuarve për rastin “Titanik”. Sipas njoftimit të Gjykatës së Apelit, qëndroi dënimi me kusht për ish-shefin e kabinetit të Nikolla Gruevskit, Martin Protugjer, dënimi me kusht ngeli edhe për ish-ministren e Nikolla Gruvekit, Gordana Jankulloska, ndërsa ish-ministri i transportit, Mile Janakievski u dënua me 3 vjet e 6 muaj, periudhë ku është përfshirë edhe koha efektive dhe paraburgimi shtëpiak.

Në rastin “Titanik 1”, Jankullovska ishte dënuar me 2 vjet e 6 muaj burg, Janakieski me 4 vjet e 6 muaj burg, Kosta Mitrovski 3 vjet burg, ndërsa Munir Pepiq një vjet burg.