Presidentit Pendarovski takoi senatorët amerikan Jeanne Shaheen dhe Peter Welch

Presidenti Stevo Pendarovski sot priti senatorët Jean Shahin dhe Peter Welch. Presidenti Pendarovski theksoi bashkëpunimin e deritanishëm me SHBA-në, të konfirmuar me Deklaratën për Partneritet dhe Bashkëpunim Strategjik të vitit 2008, si dhe aleancën e dy vendeve në kuadër të NATO-s, transmeton Portalb.mk.

Në takim u diskutua për mbështetjen që SHBA-të i japin Maqedonisë së Veriut në realizimin e aktiviteteve që synojnë rritjen e stabilitetit dhe forcimin e praktikave demokratike. Në të njëjtën kohë, në takim u konfirmua bashkëpunimi dhe partneriteti i suksesshëm në fushën e mbrojtjes, veçanërisht në mes të ARM-së dhe Gardës Kombëtare të Vermontit, shtet që senatori Welch e përfaqëson në Senat.

Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime edhe për sfidat e sigurisë në rajon, por edhe më gjerë në Evropë dhe botë në kontekst të trazirave të fundit në veri të Kosovës, agresionit rus në Ukrainë, si dhe luftës në Izrael dhe Rripin e Gazës.

Presidenti Pendarovski shprehu mirënjohje për mbështetjen afatgjatë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për proceset e përgjithshme reformuese, duke theksuar se vendi do të vazhdojë të punojë me përkushtim në zbatimin e të gjitha reformave të nevojshme me qëllimin përfundimtar, hyrjen e Maqedonisë së Veriut në BE.