Goma dhe dy sociologët

“Njeriu jeton përderisa i bën të tjerët të jetojnë.”

Një e diel janari me dëborë dhe acar. Udhës për në Prishtinë, për të marrë tezen dhe xhaxhain nga “Aeroporti Adem Jashari”. Bisedojmë light tema me kushëririn, nxënës i shkollës së mesme që si pasion ka futbollin. Pasi kaluam Hanin e Elezit në dashboard-in e veturës ndizet sinjali i problemit të gomave, por meqë sensorin e kemi te gomat e verës, të cilin gomistët na sugjeruan të mos e kalojmë herë në të verës e herë në ato të dimrit, e shpërfillim. “Uha sa herë na është ndezur, s’është gjë” – themi me vete. Sa më afër destinacionit, kushtet aatmosferike përkeqësohen. Akulli rritet në udhën që shpie drejt aeroportit, vende-vende një pëllëmbë trashësi. Një pedale freni, del nga korsia. Në hyrje të parkingut një veturë kurbeti  para nesh stopon përnjëherë, sa s’u ngjit për shtyllën ku merret kartela. Mend në krye, kujdes bisedojmë me veten dhe mbajmë distancën. Parkohemi dhe ulemi për të pirë kafe, paksa e “njelmët” monetarisht, por normale për lokacione si aeroportet. Herë shikojmë kah monitorët, herë diskutojmë, e herë surfojmë në mobitel.

Dhe pas një orë e gjysëm pritjeje, avioni ateron, përshëndetemi ngrohtësisht me udhëtarët tanë dhe i ndaloj jashtë të presin, meqë janë në moshë, në të shtatëdhjetat. Ndez makinën, shpejtësia R, dhe zëri i borisë së një veture tjetër nga krahu i djathtë. Me të dalë jashtë, goma e shfryrë “në bandash”, përtoke. Falënderuam zotëriun, ndërkohë na u vërtit bota. Tani! Kurrë në jetë gomë s’kemi ndërruar, lëre më diç nga motori e elektrika të prekim. E, shkolla e intelektualizmi s’të ndihmojnë këtu. “Përveshi mëngët tash”. Në kushte stuhie të asaj të diele. Pyesim kalimtarët nëse punojnë gomisteritë. “Jo, është e diel, s’funksionon gjë”. Hapim gepekun nxjerrim gomën e hollë ndihmëse për distanca të shkurtra dhe krikun për rrota;  ndonëse vetura e re, e patëm humbur shkopin e saj, ndërkohë na u dhurua një tjetër që s’përkonte origjinalin, s’mund të nisnim ndërrimin. “Ah ‘Toyota’, kurrë s’ke bërë difekt, ama këtë herë me gjasë ndonjë gozhdë na e bëri sherrin…” Njeriu i parë, i dytë dhe i treti një zotëri me kapelë në kokë. Na e zgjati veglën e nevojshme. E fëlanderova dhe ia nisa punës, me stres të paparë, dy herë e vrava veturën, vija të vogla. Unë e ngrija dalëngadalë anën e djathtë, akulli e shtynte andej, sërish edhe herën e dytë. Dhe pasi e pastrojmë akullin, e treta e vërteta. Pak unë, pak axha, pak ‘anonimi’ dhe ia dolëm. “S’ia di rendin, profesor është” – thotë shoqëruesi. “Po, them, vërtet s’ia kam zanat kësaj pune.” Ku punoni? – pyet. “Në Shtul, UEJL.” “Edhe unë jam profesor, në AAB, sociolog, Jeton Brajshori.”  “Opaa, çfarë koincidence, dy sociologë i takon goma e shpërthyer. “Unë jam A.P.” Dhe fillon dialogu i çastit, e falënderoj dhe uroj me gjithë zemër, lavdëroj solidaritetin e tij”. Ai përgjigjet se ka dëgjuar dhe ka lexuar për ne, por gjithë nga distanca. Në mesin e gjithë asaj grigje njerëzish, dy hulumtues të sferës sociale takohen jo në katedër, konferencë, promovim a diku tjetër po në parking. I them që do shihemi diku në Shkup, Tetovë a Prishtinë dhe ndahemi. Ndërkohë na tregon se për ne i ka folur filozofi L. Mustafa te “Paradigma” e të cilit kishin diskutuar “shoqërinë e spektaklit”. Studiuesi dhe profesionisti është superior kur ruan njerëzishmërinë dhe virtytet e veta, sensin etik për të qenë pranë atij në krizë, të cilit zgjatja e dorës në momente kritike i duket sikur ia falë botën. Njeriu gjallnon përderisa është në shërbim të përtejvetshmes.

Mësimi nga “rasti goma” e prapme: të dish më shumë gjëra, të kesh shkathtësi të ndryshme, është më mirë për të notuar në oqeanin e jetës që sjell lëkundje të papritura. Dilema është a është më mirë të jesh specalist apo njeri multipotencial, një person me shumë interesa dhe angazhime krijuese; i aftë për zgjidhjen e problemeve komplekse. Nuk është e nevojshme të jesh ekspert në ndonjë fushë të veçantë për të qenë multipotencial. (Wapnick, 2015) Sado që gjatë epokës industriale, normat kulturore janë zhvendosur në favor të specializimit, shumëshkathësia “shpëton jetë”. Historia na mëson për figura të shumanshme të suksesshme: Ibn Halduni në histori, sociologji, ekonomi, demografi dhe filozofi; Da Vinci në pikturë, skulpturë, inxhinierim arkitekt, anatomi, botanikë; Njutoni në fizikë, matematikë, anatomi, alkimi…

Me t’u kthyer në shtëpi pas një vozitjeje të ngadalshme, 60 kmh, hymë në internet ku mësuam se ka kryer programin për “Leadership and Community Youth” në institucionin ku punojmë, se ligjëron edhe psikologji dhe antropologji, se merret me tema të patologjive sociale,  se drejton Institutin “Kritikos”. Ndërkohë shkëmbyem mesazhe në facebook. Na dërgoi foto të librit të fundit që ishte duke e lexuar: Meredith B. Mc Guire, Religjioni: Konteksti social, Logos-A, 2017. S’ka satisfaksion më të madh për një përkthyes sesa kur mëson se dikush ia lexon librin firmën e përkthimit të të cilit e mban ai vetë. Dhe dhurata si kategori socializuese-përafruese: “Kemi bërë edhe një përkthim tjetër të kësaj lëmie, Hans Freyer, Sociologji e religjionit, do ua përcjellim diqysh.” Biseda u mbyll nga distanca, përmes rrjeteve sociale dhe përfundoi te pikëtakimi, librat, shkenca, akademia.    

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.