Goditet grupi shqiptaro-italian, mashtruan me tatimet dhe përfituan shumë të mëdha monetare

Policia e Gjirokastrës njoftoi të hënën se vuri nën hetim gjashtë persona, tre shqiptarë dhe tre italianë pasi akuzohen se krijuan një skemë mashtrimi dhe përfituan shuma të mëdha financiare nëpërmjet rimbursimit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, me kompani të rreme, raporton VOA.

Policia tha se me vendim të gjykatës sekuestroi tre llogari bankare me vlerë totale: 1 milion e 300 mijë euro dhe 13 milionë lekë të rinj.

Sipas policisë nga kontrollet në tre subjekte tregtare u sekuestruan në cilësinë e provës materiale dokumente të rëndësishme për hetimet si dhe 19 vula të subjekteve të ndryshme tregtare që dyshohet se janë mbajtur për të ushtruar aktivitetet kriminale nga këto subjekte.

Tre shtetas shqiptarë, që policia i ka identifikuar me iniciale I. Q., E. B. dhe Z. K. si dhe tre shtetas italianë të identifikuar me inicialet A. D., S. C. dhe S. C, akuzohen për “Fshehje e të ardhurave”, “Krijim i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Dhënia e informacioneve të rreme” dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” .

Nga hetimet e policisë rezulton se “shtetasit shqiptarë dhe italianë , në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë regjistruar subjekte dhe kanë lëshuar fatura me TVSH fiktive, për shërbime konsulence, duke krijuar teprica kreditore, për të përfituar më pas rimbursim të TVSH-së”.

Policia e Gjirokastrës thotë se këto skema mashtrimi për të cilat dyshohen 6 shtetasit shqiptarë dhe italianë po hetohen për lidhjet me një tjetër shtetas italian i arrestuar dhe i dënuar në vitin 2009 dhe 2013, nga strukturat e policisë tatimore në Caltaniseta të Italisë për “Mashtrim tatimor për miliona euro”.

Prokuroria e Gjirokastrës tha se do të thellojë hetimet duke bashkëpunuar dhe shkëmbyer informacion dhe ekspertizë me autoritetet italiane, për të gjithë personat e përfshirë në këto skema mashtrimi.