Gllavçev: Ne jemi më shumë se fqinjë me RMV-në, por të gjithë kandidatët në BE duhet të plotësojnë kushtet

Në hapjen ceremoniale të Samitit të NATO-s në Uashington, më së shumti bisedova me kryeministrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kështu ka deklaruar kryeministri bullgar Dimitar Gllavçev, duke theksuar se të dy janë të një mendimi se duhet të ulen tensionet dhe të normalizohen marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve, transmeton Portalb.mk nga 360 Gradë.

“Ne diskutuam se është e nevojshme normalizimi i marrëdhënieve të ndërsjella, si dhe kthimi në nivelin e vitit 2017, kur u nënshkrua Marrëveshja e Fqinjësisë së Mirë”, tha Gllavçev

Sipas tij, nuk ka asgjë më të mirë se marrëdhëniet e bukura dhe të mira mes fqinjëve.

“Mund të thuhet se ne jemi më shumë se fqinjë me Republikën e Maqedonisë së Veriut. Të dy ishim të këtij mendimi, kështu që do të shohim se çfarë do të ndodhë”, tha kryeministri bullgar.

Përveç që duhet të zvogëlohen tensionet në marrëdhëniet e ndërsjella, Gllavçev i ka thënë Mickoskit, siç raportojnë mediat bullgare, se duhet të zvogëlohen edhe tensionet në deklaratat e politikanëve.

“Nuk ka tensione mes qytetarëve dhe popujve të dy vendeve fqinje dhe nëse politikanët nuk ndihmojnë në zhvillimin e këtyre marrëdhënieve, nuk duhet t’i pengojnë ato”, tha Gllavçev.

Për të thelluar bashkëpunimin, sipas tij, duhet të fillojë të zhvillohet edhe lidhja në transport dhe ekonomi.

Ai, siç tha Gllavçev, i ka theksuar edhe Mickoskit se vendet kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian duhet t’i respektojnë kërkesat, që sipas tij është qëndrim jo vetëm i Bullgarisë, por edhe i BE-së.

“Duhet të përmbushen edhe obligimet që janë marrë. Këtu nuk po flas vetëm për Maqedoninë e Veriut, por edhe për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. E shihni që ne nuk i ndajmë ato. Qëndrimi ynë është edhe qëndrimi evropian që të gjitha vendet kandidate për anëtarësim në BE duhet të përmbushin kërkesat e vendosura për to”, tha Gllavçev.

Kryeministri i Bullgarisë Dimitar Gllavçev dhe kryeministri i RMV-së Hristijan Mickoski. Foto: Këshilli i Ministrave i Republikës së Bullgarisë (Facebook)
Kryeministri i Bullgarisë Dimitar Gllavçev dhe kryeministri i RMV-së Hristijan Mickoski. Foto: Këshilli i Ministrave i Republikës së Bullgarisë (Facebook)

Kryeministri Mickoski para një jave duke iu përgjigjur deklaratës së ambasadores amerikane Angela Ageler se nuk do të ketë negociata të reja për Prespën dhe as me Bullgarinë në rrugën eurointegruese të vendit, tha se Marrëveshja e Prespës është realitet dhe se është pjesë e rendit kushtetues dhe juridik të vendit, ndërsa Marrëveshja e Fqinjësisë së Mirë me bullgarinë tashmë është rinegociuar me shtimin e Propozimit Francez, prandaj ai nuk sheh arsye që të mos i shtohet ndonjë propozim tjetër që do të mbulonte kërkesat e popullit maqedonas.

Me formimin e Qeverisë së re në RMV të udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja, ka filluar edhe tensionimi i raporteve me Bullgarinë për shkak se kryeministri Mickoski tha mund të ketë ndryshim të Kornizës negociuese, e cila u kritikua ashpër nga Sofja.

Kujtojmë se vendi duhet t’i bëj ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese. Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë. Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.