Mickoski: Është i mundur ndryshimi i kornizës negociuese, do të kërkojmë zgjidhje me qeverinë e re në Bullgari
Nëse ka vullnet, mund të ndryshohet Korniza negociuese me Bashkimin Evropian, tha kryeministri Hristijan Mickoski në emisionin “Analiza” në TV 24, duke theksuar se nëse vërtet duan ta shohin Maqedoninë atje, ekziston mundësia për këtë, dhe se do të nevojiten garanci se nuk do të ketë kushte shtesë dypalëshe nga Sofja me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, transmeton Portalb.mk.
“Por ata duhet të jenë të sinqertë me ne dhe të na thonë se e duan në këto kushte. Nëse kemi vullnet politik dhe leximin e duhur të gjërave, gjithçka mund të ndodhë”, tha ai.
Sipas tij, kur të ketë një qeveri politike në Bullgari, ai është i gatshëm të negociojë për të paktën tre zgjidhje.
“Kemi të paktën tre zgjidhje kreative për të cilat jam i gatshëm t’i diskutoj kur të ketë një qeveri politike në Bullgari dhe që besoj se mund të jenë një skenar dalje nga i gjithë procesi”, thotë kryeministri.
Rruga që u ndoq deri më tani, siç thotë Mickoski, më nuk kalon me popullin, sepse është bërë një gabim, prandaj sipas tij, duhet të kërkohet zgjidhje.
“Ne jemi gati të ulemi dhe të gjejmë një zgjidhje me qeverinë e re në Bullgari. Le të flasim për gjithçka, për rreziqet e mundshme. Deklaratat se ju duhet ta bëni edhe këtë dhe se kaq janë të papranueshme. Kemi bërë shumë për vlerat evropiane, por kemi marrë zero”, tha Mickoski.
Mickoski më 24 qershor e mori funksionin e kryeministrit nga paraardhësi i tij Talat Xhaferi.
Me 77 vota “për” dhe 22 vota “kundër”, Kuvendi zgjodhi me 23 qershor Qeverinë e re, kryetar i së cilës është Hristijan Mickoski. Koalicioni qeveritar përbëhet nga VMRO-DPMNE, koalicioni “VLEN” dhe ZNAM.
Në votimin kundër” Qeverisë së re u deklaruan deputetët e LSDM-së dhe të Majtës, ndërsa deputetët e koalicionit “Fronti Evropian” i udhëhequr nga BDI-ja e lanë seancën para përfundimit të saj.