Gjykimi ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së do të vazhdon më 12 qershor
Në Gjykatën Speciale në Hagë ka përfunduar dëgjimi i dëshmitarit të shtatë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS), në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK). Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, do të dalin para trupit gjykues përsëri më 12 qershor kur pritet të vazhdojë paraqitja e provave nga ana e Prokurorisë, raporton ABC.
Dëshmitari i shtatë i cili mban kodin W-01236, ka dëshmuar nën masa mbrojtëse. Intervistimi nga prokurori Nathan Quick është bërë në seancë të mbyllur meqë sipas ZPS-së pyetjet lidheshin me një incident të veçantë përmes së cilit mund të identifikohet dëshmitari.
Por, një pjesë e dëshmisë së dhënë për avokatin e viktimave është zhvilluar në seancë të hapur për publikun. Ndërsa gjatë paradites ka përfunduar dëshmia e dëshmitarit të gjashtë, i cili sikur pesë të tjerë që dëshmuan në këtë çështje, kishte masa mbrojtëse.
Ish-krerët e UÇK-së, për të cilët prokuroria pretendon se kanë kryer krime lufte, po gjykohen pas një procedure paraprake që ka zgjatur më shumë se dy vjet.
Gjatë krejt kësaj kohe, ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Krasniqi dhe Veseli, si dhe ish-deputeti Selimi, po qëndrojnë në paraburgim në Hagë, ndërsa në paraqitjet e tyre para gjykatës ata janë deklaruar të pafajshëm.