Gjykata Penale sërish do të vendosë për amnisti për “organizatorët e 27 prillit”

Ish-zyrtarët shtetërorë të akuzuar për organizimin e ngjarjeve të 27 prillit 2017, kur u krye sulmi i dhunshëm i Kuvendit, kërkuan sërish që të përfshihen në Ligjin për amnistinë e vitit 2018, i cili zbatohej për të akuzuarit për këto ngjarje, transmeton Portalb.mk.

Nga Gjykata Themelore Penale Shkup thonë se ata së bashku me avokatët e tyre e kanë dorëzuar kërkesën në seancën e datës 3 nëntor, ndërsa vendimin gjykata do ta shpallë më 14 dhjetor.

Të akuzuar për organizimin e “27 Prillit” janë ish-kryetari i Kuvendit Trajko Veljanoski, ish-ministrat Mile Janakieski dhe Spiro Ristovski dhe ish-drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulimit (DSK) Vladimir Atanasovski.

Të gjithë ndiqen penalisht për veprën penale “Rrezikim terrorist i rendit kushtetues dhe sigurisë”.

Ata tashmë një herë kërkuan amnistinë me ligjin e vitit 2018, por Gjykata Penale i refuzoi me arsyetimin se nuk plotësonin kushtet. Më pas, ata u ankuan në Gjykatën e Apelit, e cila e anuloi këtë vendim të Gjykatës Penale dhe urdhëroi gjykatën e shkallës së parë që të vendosë sërish.

Për herë të dytë zhvillohet procesi gjyqësor në të cilin ish-zyrtarët gjykohen për organizimin e ngjarjeve të 27 prillit 2017. Një herë ata u dënuan me burgim nga gjashtë deri në gjashtë vjet e gjysmë, por aktgjykimi u rrëzua nga Apeli dhe çështja u kthye në rigjykim.

Kujtojmë se nga dhuna e 27 prillit në Kuvend, u lënduan mbi 100 persona në mesin e tyre edhe deputetë dhe gazetarë. Ndër deputetët më së shumti që kanë qenë të lënduar ka qenë Ziadin Sela i Aleancës për Shqiptarët, Zoran Zaev i LSDM-së, Oliver Spasovski dhe deputetë të tjerë të LSDM-së.