Gjykata në Shkup i caktoi tre muaj burg vrasësit të qenit Feliks

Gjykata Themelore Penale në Shkup i shpalli Lube Krstevskin dhe Branko Bilbilovskin fajtorë për vrasjen e qenit Feliks, i cili ngordhi më 7 janar 2025 nga pasojat e lëndimeve të shkaktuara, transmeton Portalb.mk.

Gjykata e dënoi Krstevskin me tre muaj burg, dhe Bilbilovski mori gjobë prej njëqind gjobash ditore, me vlerë prej 10 eurosh për gjobë, në shumë totale prej 1,000 eurosh.

Krimi kualifikohet sipas nenit 233, paragrafi 1 i Kodit Penal, i cili parashikon një gjobë ose burgim deri në tre vjet për këdo që vret një kafshë pa shkak.

Ky është dënimi i parë me burg për këtë lloj krimi.

Sipas aktakuzës, më 19 nëntor 2024, Krstevski, duke përdorur një objekt të fortë që i ngjante shkopit, e goditi Feliksin disa herë në kokë pa ndonjë arsye të justifikueshme, duke i shkaktuar atij tronditje të trurit dhe hematoma. Së bashku me Bilbilovskin, ata e lidhën qenin me tel dhe e tërhoqën zvarrë në një kontenier mbeturinash, ku e hodhën, duke besuar se ishte i ngordhur.

Më 16 janar, Prokuroria Themelore Publike ngriti padi kundër dy personave për veprën penale të vrasjes dhe torturimit të kafshëve. Prokuroria tha se duke marrë parasysh para së gjithash ankthin publik të shkaktuar nga video e torturimit të një qeni në Momin Potok, menjëherë pas paraqitjes së kallëzimit penal janë ndërmarrë veprime dhe është mbledhur i gjithë materiali dëshmues.

Siç thuhet nga Prokuroria, më datë 19.11.2024, dy bashkëkryesit e kanë ekspozuar atë në vuajtje të panevojshme dhe i kanë shkaktuar dhimbje të panevojshme, duke ekspozuar në vuajtje qenin Feliks, mashkull i zi, rreth një vjeç.

Për këtë rast pati edhe protesta nga aktivistët e të drejtave të kafshëve dhe qytetarëve.