Gjykata Kushtetuese sot do të vendosë për fatin e Marrëveshjes Kolektive për kulturën
Sot Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut vendos për fatin e Marrëveshjes Kolektive për kulturën, pas iniciativës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së saj, të paraqitur nga avokati Tomisllav Stefkov, transmeton Portalb.mk.
Sindikata e Kulturës thotë se kjo është dita kur punonjësit e kulturës do të marrin përgjigje nëse Marrëveshja Kolektive, të cilën e pritën 30 vite, e negociuan 15 vite dhe plot 9 muaj pritën që të fillojë realizimi i saj financiar pas nënshkrimit, do të mbijetojë si një nga pikat e rralla të ndritshme në kulturë.
“Breza të tërë artistësh dhe punonjësish të kulturës e kaluan gjithë jetën e tyre të punës pa të drejta bazë punëtore. Sot, kur këto të drejta më në fund janë fituar me një luftë të gjatë, durim dhe këmbëngulje, po bëhen përpjekje që ato të anulohen. Ndoshta sot dikush do të zhgënjehet, ndërsa dikush tjetër do të ketë arsye për gëzim. Por një gjë është e sigurt, turpi nuk do të fshihet”, thonë nga Sindikata e Kulturës.
Për shkak të interesit të shtuar të publikut lidhur me lëndën, Gjykata Kushtetuese informoi lidhur me pretendimet e iniciativës.
“Parashtruesi thekson se dispozitat e kontestuara të Kontratës Kolektive nuk janë në përputhje me dispozitat e Ligjit për të punësuarit në sektorin publik, me nenet e Ligjit për nëpunës administrativë, me nenet e Ligjit për kulturë, Ligjin për marrëdhënie pune, si dhe me nenin 9, 32 dhe 51 të Kushtetutës. Pretendohet se në Kontratën Kolektive janë paraparë në mënyrë joproporcionale, të pabarabartë dhe pa qëllim legjitim të drejta të caktuara lidhur me pushimet e paguara dhe koeficientët për përcaktimin e pagës së të punësuarve në kulturë, në rrethana kur për vende të njëjta ose të ngjashme pune me detyra të njëjta parashihen të drejta më të kufizuara, përkatësisht koeficientë të saktë të pagës”, informuan ndër të tjera nga Gjykata Kushtetuese.
Sindikata e Kulturës ka paraqitur ankesë në Organizatën Ndërkombëtare të Punës, në të cilën, ndër të tjera, kërkohet edhe monitorimi i të gjitha proceseve gjyqësore që lidhen me Marrëveshjen Kolektive, përfshirë edhe vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë.