Gjykata e Apelit vendosi që dënimet me burg për të dënuarit për vrasjen e Denis Tot të mbeten të njëjta

Gjykata e Apelit në Shkup e refuzoi ankesën e të akuzuarit Anxhelo Gjorgjievski si të pabazuar, ndërsa ankesat e të akuzuarve Andrej Kostovski dhe Klementina Levkovska u respektuan pjesërisht dhe e ndryshuan shumën e dhënë në emër të dëmit jomaterial, raporton MIA.

“Gjykata e Apelit në Shkup, në interes të opinionit dhe mediave, njofton se duke vepruar në lëndën penale KZH-224/23, dhe pas seancës publike të mbajtur më 15.05.2023, ka nxjerrë aktgjykim me të cilin ankesa e të akuzuarit A.Gj. është refuzuar si e pabazuar, ndërsa ankesat e të pandehurve A.K. dhe K.L. respektohen pjesërisht, në atë mënyrë që aktgjykimi i Gjykatës Themelore Penale të ndryshohet në lidhje me shumën e dhënë në emër të dëmit jomaterial dhe të pandehurit janë të obliguar që bashkërisht t’i paguajnë 4.000.000 denarë nënës së të ndjerit Denis Tot, T.T. Një shumë identike do t’i paguhet edhe I.T., babai i të ndjerit, ndërsa B.T., vëllai i të ndjerit, në emër të dëmit jomaterial në vlerë prej 3.000.000 denarë. Sipas aktgjykimit, gjatë pagesës do të llogaritet edhe kamata gjobë ligjore nga dita e marrjes së aktgjykimit të shkallës së parë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit.

Mbrojtësit e të pandehurve në rastin e vrasjes së hendbollistit kroat Denis Tot kërkuan një herë nga Gjykata e Apelit që të përsëritet procedura. Ata konsideruan se aktgjykimi është i pabazuar për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, gjendjes faktike të vërtetuar gabimisht, shkeljes së Kodit Penal dhe vendimit për sanksionin penal.

Prokuroria, nga ana tjetër, ka propozuar që ankesat të refuzohen si të pabazuara, pasi sipas tyre është vërtetuar saktë gjendja faktike.

Aktgjykimi i shkallës së parë mbetet i njëjtë sa i përket dënimit me burgim me të cilin Gjykata Themelore Penale Shkup në nëntor të vitit të kaluar i dënoi Anxhelo Gjorgjevskin dhe Klementina Levkovskën me 18 vjet burgim dhe Andrej Kostovskin me 16 vjet për vrasjen e hendbollistit kroat, i cili vdiq më 8 prill 2022 pasi ishte rrahur nga të akuzuarit para një klubi në Parkun e Qytetit në Shkup.

Sipas aktakuzës, Gjorgjievski, Levkovska dhe Kostovski më 7 prill pas një mosmarrëveshje të shkurtër e kanë sulmuar Totin dhe i kanë shkaktuar disa goditje dhe lëndime të rënda trupore, me çka ka rënë në gjendje kome dhe të nesërmen ka ndërruar jetë.

Gjykimin e udhëhoqi gjyqtarja Elena Ilievska Josifoviq, ndërsa akuza u përfaqësua nga prokurorja Tanja Trajçevska.

Ndryshe, më 07.04.2022, Denis Tot ishte dërguar në Klinikën e Shkupit për reanimacion, anestezi dhe kujdes intensiv KARIL, pas një përleshjeje në diskotekën elitare shkupjane dhe klubin e natës “Privilege”. Ndonëse mediat raportuan se Tot është rrahur, Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut ka lëshuar një komunikatë, në të cilën thuhet se Denis Totit nuk i janë shkaktuar lëndime, por se rasti po hetohet.

Nga ekspertiza dhe obduksioni që iu bë trupit të Totit pas vdekjes së tij nga ky institut, është thënë se në trupin e Totit është intervenuar me kohë, mirëpo shtypja e trurit dhe lëndimi i pjesës fillestare të shtyllës kurrizore ishin fatale.

Gjyqi për rastin e Denis Tot filloi me 5 shtator dhe rastin, ashtu siç kanë konfirmuar nga Gjykata Themelore Penale në Shkup, është duke e udhëhequr Elena Ilievska Josifoviq.