RMV, të dënuarit për vrasjen e hendbollistit kroat kërkuan nga Apeli rigjykim të rastit

Të akuzuarit për vrasjen e hendbollistit kroat Denis Tot më 7 prill të vitit të kaluar, Klementina Levkovska, Andrej Kostovski dhe Anxhelo Georgievski bashkë me avokatët e tyre sot tentuan t’i mbushin mendjen gjykatësve të Apelit se vepra për të cilën ngarkohen, përkatësisht “vrasje me paramendim” është e pabazë dhe kërkuan që lënda të shkojë në ri-gjykim pasi sipas tyre, gjykata e shkallës së parë ka kryer shkelje thelbësore të procedurës penale me çka edhe dënimet që janë shqiptuar, sipas tyre janë tepër të larta, shkruan Alsat.

“Normalisht që presim që ankesat të na pranohen, presim që aktgjykimi i shkallës së parë do të anulohet dhe të shkojmë në rigjykim. Të gjithë avokatët ankesat i bazuam në 4 pika kryesore, konsiderojmë se ka pasur shkelje thelbësore të procedurës, se situata faktike nuk është konfirmuar në plotësi, se është shkelur kodi penal, se dënimet janë shumë të larta”, tha Bojan Vasilievski, avokat.

Ata konsiderojnë se goditjet që klientët e tyre i kanë dhënë hendbollistit Tot nuk kanë shkaktuar vdekjen e tij, këtë e bazojnë në faktin që i ndjeri ka qenë hendbollist dhe gjatë lojërave ka pranuar goditje edhe më të rënda, shtojnë se këtu ka ndikuar gjendja e alkoolizuar e viktimës.

Sipas avokatit të të akuzuarit Andrej Kostovski, Elenko Millanov, është absurde që klienti i tij të ngarkohet me veprën penale “vrasje” vetëm për shkak të një goditje e cila sipas tij, nuk ka lënë as mavijosje.

“Konsideroj që në rastin konkret është kontestues kualifikimi ligjor për të gjithë të akuzuarit se mund të bëhet fjalë për vrasje. Konkretisht për klientin tim, veprimi i vetëm i tij është për zonën e anës së djathtë të kraharorit, ku nuk ka as mavijosje, as shenja të lëndimit, ndërsa është veprimi i vetëm që e lidhë si bashkë kryerës të veprës penale-vrasje”, u shpreh Elenko Millanov, avokat.

Prokuroria nga ana tjetër propozoi që këto ankesa të refuzohen si të pabaza, pasi sipas tyre, të gjitha faktet janë shqyrtuar dhe situata faktike veçse është konfirmuar.

Gjykata Penale në nëntor të vitit të kaluar Anxhelo Georgievskit dhe Klementina Levkovskës i shqiptoi burg prej 18 vitesh ndërsa të akuzuarit Andrej Kostovski burg prej 16 vitesh për vrasje të hendbollistit kroat Denis Tot.

Ngjarja kishte ndodhur më 7 prill të vitit të kaluar në një lokal nate në Shkup, ku të dyshuarit pas një mosmarrëveshje të shkurtër verbale e kishin sulmuar shtetasin kroat me disa grushte dhe shkelma ndërsa edhe pasi i ndjeri kishte rënë në asfalt pa ndjenja, njëra prej të akuzuarve kishte vazhduar ta godasë në kokë.