BE për zgjedhjet në Kosovë: Të mbahen sa më shpejt, serbët të marrin pjesë

Bashkimi Evropian thotë që zgjedhjet e parakohshme duhet të shpallen sa më shpejt dhe të ketë gjithëpërfshirje, raporton TopChannel. Rruga më e shpejtë për zgjedhje është dorëheqja e kryetarëve, sipas unionit evropian.

“Siç ka treguar tashmë BE-ja, zgjedhjet lokale të prillit nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjatë për këto komuna. BE-ja u bën thirrje të gjithë aktorëve që të punojnë drejt një zgjidhjeje urgjente politike për një demokraci të qëndrueshme përfaqësuese pjesëmarrëse në këto komuna. Zgjedhjet e parakohshme duhet të nxiten dhe shpallen sa më shpejt të jetë e mundur dhe të organizohen në një mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse.

Dorëheqjet e kryetarëve të komunave janë mënyra më e shpejtë për të nxitur zgjedhje të parakohshme, ndërkohë që të dyja palët duhet të tregojnë konstruktivitet në realizimin e zgjedhjeve“, thuhet në përgjigjen për Top Channel.

Ndërkohë, kritikohen protestat e serbëve, duke thënë që nuk janë rruga drejt zgjidhjes, ndërsa presin që serbët të marrin pjesë në zgjedhje e kthehen në institucione.

“Vazhdimi i protestave kundër kryetarëve të rinj pa nisur zgjedhjet e reja vendore në të 4 bashkitë, qoftë me dorëheqje, qoftë me peticione për tërheqje, nuk është rruga përpara.

BE pret që zgjedhjet të jenë të lira dhe të ndershme dhe serbët e Kosovës të tregojnë angazhim konstruktiv në procesin zgjedhor, si dhe të angazhohen për të marrë pjesë në to. Kjo do të ishte një shenjë e qartë e synimit të serbëve të Kosovës për t’u kthyer në institucionet e Kosovës”, thuhet më tej.