Gjykata Administrative e ka konfirmuar vendimin e KSHZ-së për anulimin e listës për këshilltarë në të cilën kishte një person të vdekur
Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) dje mori vendim për të anuluar një listë të konfirmuar për anëtarë të Këshillit të Qytetit të Shkupit, e paraqitur nga Lëvizja për Unitet Kombëtar të Turqve. Arsyeja është se më 17 tetor, KSHZ kishte marrë informacion se në këtë listë ndodhej një person i vdekur, transmeton Portalb.mk.
KSHZ sot njoftoi se, pas këtij vendimi, paraqitësi i listës kishte dorëzuar padi në Gjykatën Administrative kundër vendimit të KSHZ-së. Megjithatë, gjatë natës, Gjykata Administrative vendosi ta refuzojë padinë.
“Ne e kemi pranuar vendimin dhe ai do të publikohet — padia është refuzuar, ndërsa vendimi i Komisionit Shtetëror Zgjedhor është konfirmuar. Kjo do të thotë se vendimi i KSHZ-së mbetet në fuqi dhe të gjitha votat eventuale për Këshillin e Qytetit të Shkupit që do të jepen për këtë listë, për këtë parti politike, sipas vendimit tonë, do të konsiderohen të pavlefshme,” deklaroi kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko.
Kondarko shtoi se komisioneve zgjedhore në nivel të vendvotimeve, komunave dhe në Komisionin Zgjedhor të Qytetit të Shkupit u janë dhënë udhëzime që këto vota të evidentohen si të pavlefshme në procesverbalet përkatëse.
- LEXO: Gjithçka që duhet të dini, në kohë reale: Maqedonia e Veriut voton, mbahet rrethi i parë i zgjedhjeve lokale, u hapën vendvotimet
- LEXO: Numri i votuesve të regjistruar në të gjitha zgjedhjet lokale të RMV-së 1996-2025 (Infografik)
- LEXO: Dalja e votuesve në të gjitha zgjedhjet lokale të RMV-së 1996-2021 (Infografik)