Gjuha sinonim i etnisë

Nuk ka asgjë më të shenjtë se Gjuha e Nënës. Ajo është simbol i qytetërimit, amanet hyjnor, kujtesë e së shkuarës, ditë e bardhë e së ardhmes, engjëll mbrojtës nga përçarjet në vija krahinore, dialektore e fetare, kështjellë pa alternativë tjetër mbijetese, digë që pengon shkrirjen e kombit dhe tipareve identitare.

Këtë mësim e dinin Rilindësit e bërë kurban në themelet e gjuhës dhe shkollës shqipe, që zgjoi mendjet dhe shpirtërat e fjetur, ngjalli nga hiri kujtesën e së shkuarës, mundi komleksin e rajës së përshtatshme për nëpërkëmbje, mbolli dëshirën për të zënë hapin e humbur në vorbullat e historive tragjike, përhapi idetë qytetëruese, ndërgjegjësoi shqiptarët se nuk janë të lindur për t’gjallue si shtazë, po për të ndjekë virtyt e dituni

Kundërshtarët e gjuhës sonë e dinin dhe e dinë se, për ta nënshtruar dhe poshtërruar një komb, fillimisht duhet t’ia përbuzish gjuhën – t’ia kufizosh atë, t’ia kontrollosh sistemin arsimor ose ta lëshë pa shkollë fare, ta tjetërsosh nga tiparet identitare, t’ia shuash frymën etnike, t’ia shpëlash trurin, ta komplekësosh, ta satanizosh përpara botës, ta dekompozosh nga brenda, t’ia mohosh vlerat dhe virtytet, t’ia pengosh vrullet, t’ia zhbësh të kaluarën, t’ia vrasish të ardhmen, ta gjymtosh pariparueshëm, t’ia thyesh shtyllën kurrizore, t’ia përvetësosh personalitetet historike që e bëjnë etninë , t’ia mbjellish me sistem shpirtin e rrobit, ta bësh ta urrejë vetveten, ta bësh të turpërohet nga paraardhësit – nga fisi, fara dhe gjaku, ta bësh të varur prej të tjerëve, ta nxisish të braktisë sinoiret stërgjyshore, ta trajtosh si qenie të retarduar dhe së fundmi të kalërosh serbes mbi shpinën e tij.

Jo rastësisht edhe në kujtesën e kulturave të botës, gjuha është sinonim i etnisë, simbol i vullnetit të Zotit dhe drejtësisë, mjet marrëveshjesh, po dhe shkas grindjesh të përgjakshme me synime hegjemoniste.

E kam shpjeguar edhe në shkrimet e mëhershme, se: Duke qenë e rëndësishme dhe me vlerë të pallogaritshme, gjuha ka qenë dhe është objekt mësyemjesh turlifare, sepse dihet kë godet rufeja.

Kështu ka qenë një dajm, ndaj të gjithë tmerret ballkanike janë prirë nga ideja e zvogëlimit të vlerës së gjuhës së tjetrit, me çka, me automatizëm, bëhet zap çdo frymim kulture e qytetërimi i të mundurit.

Këtë e kemi ndier në lëkurën tonë sa herë është poshtërruar Shqipja, si në vitet e tetëdhjeta të shekullit XX, kur parësia komuniste në Maqedoni shpiku paralelet e përziera, që ndërprenë gati në tërësi mësimdhënien në gjuhën shqipe në shkollat e mesme; ndaloi pagëzimin e foshnjave me emra shqip; fshiu nga tekstet shkollore toponimet shqipe; gardhoi hapësirat e ecjes sonë përpara si gjithë të tjerët; mbolli ndër ne farën e jeniçerizmit politik, kulturor e shpirtëror, e bindur se kësisoj do ta grimcojë pariparueshëm identitetin e shqiptarëve.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.