Gjuha e urrejtjes sidomos në internet mbetet problem në RMV, alarmoi edhe Komisioni Evropian
Institucionet dhe kuadri ligjor ka nevojë të përmirësohet në luftën kundër gjuhës së urrejtjes në Maqedoninë e Veriut. Kjo mes tjerash theksohet në Raportin e Komisionit Evropian për vitin 2024 mbi në rrugën e RMV-së drejt Bashkimit Evropian. Portalb.mk analizoi raportin se çfarë thuhet për gjuhën e urrejtjes.
Komisioni Evropian në raport nënvizon se kuadri ligjor dhe kapaciteti ndërinstitucional për të luftuar gjuhën e urrejtjes dhe krimin e urrejtjes ka nevojë për përmirësime të mëtejshme, veçanërisht për të përfshirë orientimin seksual dhe identitetin gjinor si baza të gjuhës së urrejtjes.
“Vendi duhet të ndjekë Rekomandimin numër 15 të Politikës së Përgjithshme të ECRI-t për luftimin e gjuhës së urrejtjes dhe të adresojë plotësisht gjetjet dhe rekomandimet e përcaktuara në raportin e ECRI-t të shtatorit 2023”, thuhet në Raport.
Raporti vë në dukje se autoritetet ende nuk mbledhin të dhëna për gjuhën e urrejtjes dhe krimin e urrejtjes në mënyrë sistematike.
“OJQ-të vazhdimisht regjistrojnë rastet e krimeve të urrejtjes në një bazë të dhënash. Në vitin 2023 janë regjistruar 1171 raste të gjuhës së urrejtjes, më e përhapura për shkak të përkatësisë etnike, orientimit seksual, identitetit gjinor dhe kombësisë”, thekson Raporti.
Problematikë mbetet edhe gjuha e urrejtjes në internet.
“Këshilli i Etikës në Media vërejti rritje katërfish të ankesave për gjuhën e urrejtjes në krahasim me vitin e kaluar”, thuhet në Raport.
Ndër të tjera raporti thekson problematikë në RMV mbetet edhe gjuha e urrejtjes kundër komunitetit LGBTIQ.
Raporti i Komisionit Evropian mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj të integrimit evropian u publikua me 30 tetor 2024. Raportin e plotë mund ta lexoni KËTU.
Përndryshe, Portalb.mk vazhdimisht monitoron gjuhën e urrejtjes në RMV dhe raporton mbi këto raste.