Pas shumë zvarritjeve filloi pastrimi i “xhunglës” dhe punimet për shtratin e “Shkumbinit” në Lagjen Dardania të Tetovës

Pas shumë zvarritjeve, viteve të lënë në harresë dhe shndërrimit në një “xhungël”, këto ditë kanë filluar punimet për rregullimin e shtratit të Lumit Shkumbin në Lagjen Dardania në Tetovë dhe pastrimin e deponisë brenda dhe rreth lumit, shkruan Portalb.mk.

Komuna e Tetovës ka nisur punimet për rregullimin e shtratit të lumit Shkumbin në lagjen Dardania dhe po realizohen në bazë të projektit, që përfshin shtrirjen nga rruga VS Bato deri te autostrada Tetovë-Shkup-Gostivar.

“Ky projekt realizohet me bashkëfinancim nga Qendra për Zhvillim Planor të Pollogut, me një kontribut prej 20,000,000 denarë dhe nga Komuna e Tetovës me 12,243,000 denarë dhe është pjesë e planit për mbrojtjen nga përmbytjet dhe përmirësimin e infrastrukturës së qytetit”, thonë për Portalb.mk nga Komuna e Tetovës.

Megjithatë nga ky institucion nuk tregojnë se kur do të përfundojnë punimet.

Filluan punimet për rregullimin e shtratit të Lumit Shkumbin në Lagjen Dardania në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Filluan punimet për rregullimin e shtratit të Lumit Shkumbin në Lagjen Dardania në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Pavarësisht se punimet për këtë pjesë ishin planifikuar të fillonin nga fillimi i muajit tetor, të njëjtat nuk filluan, punimet filluan në fillim të muajit nëntor.

Shtrati i Lumit Shkumbin në lagjen Dardania në Tetovë me vite është jashtëzakonisht i ndotur me mbeturina nga më të ndryshmet, duke krijuar edhe deponi.

Banorët e lagjes kanë qenë në frikë se lumi mund të del nga shtrati dhe të shkaktojë përmbytje sidomos këto ditë ku reshjet e shiut janë shtuar, ata me vite janë ankuar.

Ndërkaq Komuna e Tetovës ndër vite ka pastruar shtratin e lumit sa për “sy e faqe”, duke mos zgjidhur problemin me rregullimin e shtratit si në pjesën e sipërme mbi rrugën Industriale.

Për këtë problem Portalb.mk me vite të tëra raporton, ndërsa autoritetet vazhdimisht kanë premtuar zgjidhje, por duke mos zgjidhur problemin.