Viktimat e dhunës me bazë gjinore vuajnë edhe nga gjuha e urrejtjes në rrjetet sociale
Në vend të mbështetjes dhe empatisë, gratë viktima të dhunës me bazë gjinore në Maqedoni shpesh përballen edhe me paragjykime, fyerje dhe gjuhë të urrejtjes në rrjetet sociale. Rastet tragjike të Ivanës dhe Rosicës treguan se edhe pas vdekjes viktimat jo rrallë herë bëhen subjekt i paragjykimeve dhe akuzave publike. Avokatët dhe aktivistët për çështjet gjinore për “Slloboden Peçat” vlerësojnë se kur publiku mëson për një rast të vrasjes së grave ose dhunës me bazë gjinore, reagimet e para në rrjetet sociale shpesh nuk janë të drejtuara drejt përgjegjësisë së autorit, por i vënë në pikëpyetje veprimet e viktimës. Në vend të pyetjes “pse e bëri këtë gjë autori?” radhiten komente të tilla si “pse nuk iku?”, “me siguri e ka ditur se me kë jeton” ose “fajin e ka vetë ajo”, transmeton Portalb.mk.
Këto mesazhe nuk janë vetëm qëndrime personale të disa individëve. Ato janë një formë e gjuhës së urrejtjes në internet që e kalon fajin tek viktima, duke krijuar një atmosferë në të cilën relativizohet dhuna, ndërsa përgjegjësia e autorit të veprës vihet në plan të dytë. Ekspertët e barazisë gjinore paralajmërojnë se narrativat e tilla janë posaçërisht të dëmshme sepse u dërgojnë një mesazh grave të tjera që vuajnë nga dhuna se nëse flasin hapur, atëherë do të gjykohen. Frika nga dënimi publik bëhet një pengesë shtesë për raportimin e dhunës dhe kërkimin e ndihmës nga institucionet.
“Gjuha e urrejtjes në internet jo vetëm që shkakton traumë shtesë, por krijon edhe një efekt disiplinimi: u dërgon një mesazh të gjitha grave se të folurit publikisht për dhunën do të ndëshkohet me poshtërim, tallje, nënçmim dhe stigmatizim shoqëror. Qëllimi nuk është debati, por heshtja. Në punën time më shumë se pesëmbëdhjetëvjeçare në fushën e barazisë gjinore dhe të drejtave të grave – si kryetare e një organizate, hulumtuese, magjistre e shkencave gjinore dhe si person që punon me gratë në bazë ditore – shoh se sulmet në internet shpesh lënë pasoja më të thella dhe më të gjata se vetë dhuna”, thotë Doroti Paçkova, eksperte për çështjet gjinore dhe kryetare e “United Fem”.
Ajo shton se gjuha e urrejtjes në internet e drejtuar ndaj femrave që kanë përjetuar dhunë me bazë gjinore nuk është një fenomen dytësor, por një vazhdim i dhunës me mjete të tjera.
“Komentet e llojit “e ka kërkuar vetë”, “pse nuk e la me kohë” ose “me siguri edhe ajo ka faj” paraqesin forma klasike të viktimizimit sekondar dhe riprodhimit digjital të matricave patriarkale të fuqisë. Me fjalë të tjera, bëhet fjalë për dhunë të vazhduar me bazë gjinore. Hulumtimet bashkëkohore feministe tregojnë se mizogjinia online nuk është vetëm e folur, por një praktikë e heshtjes sistematike dhe përjashtimit të grave nga sfera publike. Filozofja Kate Mann mizogjininë e definon si “një mekanizëm për zbatimin e rendit patriarkal”, ndërsa Miranda Fricker e prezanton konceptin e “padrejtësisë epistemike” – gjendje në të cilën grave sistematikisht u hiqet kredibiliteti i tyre si bartëse të dijes dhe si dëshmi më të rëndësishme të përvojës së tyre. Kjo është pikërisht ajo që ndodh kur një grua flet hapur për dhunën, ndërsa publiku ia kthen me dyshime, akuza, viktimizim të dyfishtë, tallje ose keqdashje”, thotë ajo.
Avokatja Neda Çallovska, e cila e përfaqësonte familjen e Ivanës, një viktimë e dhunës në familje e cila i mori jetën vetes së bashku me atë të vajzës së saj gjashtëvjeçare Katja duke u hedhur nga ballkoni në lagjen Taftalixhe në Shkup, thotë se gjuha e urrejtjes në mediat sociale e drejtuar ndaj grave viktima të dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje përbën një formë të rëndë dhune që jo vetëm i thellon pasojat e dhunës fillestare, por gjithashtu krijon edhe pengesa shtesë për qasje në drejtësi, mbështetje dhe mbrojtje. Në shumë raste viktimat në vend të mbështetjes, përballen me dyshime, paragjykime dhe përpjekje për ta diskredituar kredibilitetin e tyre.
“Kjo buron nga pritshmëritë në diskursin publik që viktima të sillet në një mënyrë të caktuar në mënyrë që të njihet si një viktimë “e vërtetë” – të mos ketë konflikte paraprake me autorin e veprës, të largohet menjëherë nga abuzuesi, të mos kthehet në atë marrëdhënie, ta denoncojë menjëherë, të mos ketë foto të caktuara në rrjetet sociale, të mos tregojë emocione që nuk korrespondojnë me pritshmëritë shoqërore, të jetë një nënë e përsosur, të mos komunikojë me burra të tjerë dhe shumë norma të tjera, sidomos normat gjinore të cilat priten nga shoqëria. Nëse nuk i plotëson këto kritere stereotipike një grua shpesh bëhet subjekt i kritikave dhe gjuhës së urrejtjes. Në vend që vëmendja të përqendrohet tek dhuna dhe përgjegjësia e autorit, fokusi zhvendoset te sjellja e viktimës dhe zgjedhjet e saj personale. Dhe pse them norma gjinore? Sepse të njëjtat këto rregulla ose pritshmëri kryesisht nuk vlejnë për burrat, thotë Çallovska.
Ajo shton edhe se gjuha e urrejtjes online ka një ndikim më të gjerë shoqëror.
“Ajo dërgon një mesazh tek të gjitha gratë se raportimi i dhunës mund të rezultojë në stigmatizim publik dhe sulme. Në këtë mënyrë krijohet i ashtuquajturi “efekt i heshtjes” (chilling effect), ku gratë evitojnë të flasin për dhunën nga frika e reagimeve negative të publikut. Kjo veçanërisht u ndodh grave që janë pjesë e sferës publike, siç janë politikanet, gazetaret dhe madje edhe avokatet. Sigurisht që kjo ndikon drejtpërdrejt në përpjekjet për ta parandaluar dhe zbuluar dhunën me bazë gjinore”, thotë ajo.
Gjuha e urrejtjes në internet mund të shkaktojë trauma shtesë psikologjike, ndjenjë frike, turpi dhe izolimi, si dhe humbje të besimit tek institucionet dhe publiku. Shumë gra për shkak të frikës nga dënimi publik përmbahen nga raportimi i dhunës, nga ndjekja e procedurave ligjore ose nga kërkimi publik i mbështetjes.
“Në këtë mënyrë dhuna digjitale bëhet një vazhdim i kontrollit dhe frikësimit që viktimat tashmë e kanë përjetuar në sferën private”, thotë avokatja.
Çallovska trajton një aspekt tjetër të rëndësishëm, se është shumë e rëndësishme që këto pritshmëri stereotipike për viktimën “perfekte” ose për atë se kush e mban barrën e mbrojtjes të mos “miratohen” shtesë edhe në vetë vendimet e gjykatës, të cilat, krahas dënimit, duhet edhe ta edukojnë edhe publikun e gjerë.
Në këtë kontekst ajo e përmend vendimin e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në çështjen J.L. kundër Italisë, një rast përdhunimi i një vajze nga më shumë burra, ku vërtetohet viktimizim dytësor i viktimës gjatë procedurës penale dhe arsyetimit të gjykatës.
Procedura penale përfundoi me lirimin nga akuzat për të pandehurit, por problemi para GJEDNJ-së nuk ishte vetëm rezultati i procedurës, por edhe mënyra se si gjykata italiane e përshkroi viktimën në arsyetimin e vendimit, gjegjësisht e ka vlerësuar stilin e saj të jetesës, i ka analizuar marrëdhëniet e saj të mëparshme seksuale, e ka komentuar mënyrën e veshjes, sjelljen e saj si dhe nëse sjellja e saj ka qenë në përputhje me pritshmëritë stereotipike për një viktimë përdhunimi.
“Gjykata praktikisht e ka vlerësuar personalitetin e saj në vend që të përqendrohej në çështjen nëse kishte pëlqim apo dhunë. Për këtë arsye Gjykata Evropiane konstatoi shkelje të Nenit 8 të Konventës (e drejta për jetë private), duke theksuar se e drejta e gjykatësve për t’u shprehur lirisht në vendime është e kufizuar nga detyrimi për ta mbrojtur reputacionin dhe jetën private të individëve nga ndërhyrjet e pajustifikuara, si dhe se autoritetet kombëtare nuk kanë arritur ta mbrojnë viktimën nga viktimizimi dytësor gjatë procedurave, me ç’rast formulimet e përdorura në vendim kanë luajtur një rol posaçërisht të rëndësishëm, sidomos duke pasur parasysh karakterin e saj publik”, thotë Çallovska.
Avokatja Katerina Koteska Stisniovska është e mendimit se shumica e komenteve online që riviktimizojnë vijnë nga profile anonime dhe të rreme.
“Ata i shfryjnë frustrimet e tyre në rrjetet sociale si mënyra më e lehtë për t’i ikur realitetit. Komente të tilla më shpesh tregojnë se pikërisht burrat që komentojnë janë të dhunshëm, ndërsa gratë që moralizojnë thjesht e kanë zili guximin e asaj gruaje që do ta shpëtojë veten nga dhuna që ato shumë shpesh e vuajnë”, thotë Stisniovska.
Sipas saj viktimizimi i vazhdueshëm dhe i përsëritur u ndodh grave, por ka edhe stereotipe që i viktimizojnë gratë përtej kufijve tanë.
“Kur një grua e gjen veten në pozicionin e viktimës, qoftë duke pranuar se është viktimë ose si pjesë e informacionit, vazhdimisht kërkohet një mënyrë për ta justifikuar dhunën ndaj saj si nga burrat ashtu edhe nga gratë. Jam e mendimit se kjo është edhe për shkak të mentalitetit të këtyre rajoneve, sipas të cilit një grua duhet të jetë e bindur dhe e nënshtruar dhe në interes të ruajtjes së familjes dhe dinjitetit ajo duhet të vuajë dhe të jetë viktimë, e sidomos gjatë historisë si gra të suksesshme që janë vënë në piedestal kanë qenë vetëm gratë e nënshtruara dhe ato që e kanë duruar terrorin ndaj tyre, si nga familja ashtu edhe nga rrethi. Çdo grua që ka rezistuar është sanksionuar, zakonisht duke përdorur forcë fizike kundër saj ose duke e refuzuar dhe duke e margjinalizuar atë”, thotë avokatja.
Ajo thekson edhe se liria e shprehjes në hapësirën mediatike me një identitet të fshehur kontribuon në viktimizimin e shumëfishtë dhe gjuhën e urrejtjes në internet.
“Pra, nëse fillojmë nga institucionet kur raportojmë dhunë mbi bazë gjinore ndaj grave ose dhunë në familje, diskriminimi fillon që në fillim dhe kërkohen arsye për sjelljen e saj që e ka provokuar dhunuesin dhe pothuajse gjithmonë supozohet se dhunuesi nuk do të kishte qenë i dhunshëm nëse viktima nuk do ta kishte “provokuar”. Personalisht, gjatë praktikës sime, më ka shokuar qëndrimi i padrejtë i institucioneve kur viktimat gra gjykohen me pyetje të tilla si “Pse nuk hesht nëse burri është nervoz?”, “Pse po e denoncon, qetësohuni, ke fëmijë, je nënë dhe duhet të durosh”, “Pse shkove me të kur ai është i martuar (ose i një kombësie tjetër)”, të cilat vazhdimisht u bëhen grave dhe në këtë mënyrë ato vihen përsëri në rolin e viktimave”, thotë Koteska Stisnioska.
Bashkëbisedueset tonë ndajnë mendimin se përgjegjësia për dhunën, si offline ashtu edhe online, gjithmonë i takon dhunuesit.
“Asnjë grua nuk e ka “shkaktuar” apo “merituar” dhunën. Çdo përpjekje për ta hedhur fajin mbi viktimën paraqet bashkëfajësi në ruajtjen e kulturës së dhunës, mizogjinisë dhe urrejtjes ndaj grave. Përfshirë këtu edhe papërgjegjshmërinë sistematike, bashkëfajësinë dhe mungesën e reagimit”, thekson Doroti Paçkova.
Ajo thekson se lufta kundër gjuhës së urrejtjes ndaj viktimave të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore nuk është çështje “ndjeshmërie”, por çështje e demokracisë, të të drejtave të njeriut dhe qasjes të barabartë në hapësirën publike, sepse shoqëritë me arsimim të ulët gjinor shpesh i perceptojnë gratë me arsim të lartë, kompetente dhe të angazhuara publikisht si një kërcënim për marrëdhëniet e vendosura të pushtetit.
Sa më e madhe të jetë dukshmëria dhe ekspertiza e një gruaje, aq më intensive janë përpjekjet për ta heshtur atë, thotë Paçkova.
Në raportin e monitorimit të gjuhës së urrejtjes në Maqedoni në vitin 2025 narrativat e urrejtjes të drejtuara kundër gjinisë ishin kategoria e tretë më e regjistruar, që përbënte 19,9 përqind të të gjitha rasteve të regjistruara.
“Në disa raste, gjatë analizimit të artikujve rreth dhunës familjare ndaj grave, u vu re jo vetëm raportim joetik, por edhe komente me të cilat arsyetohej dhuna dhe fajësohej viktima”, thuhet në analizë.
Ky shkrim është përgatitur në kuadër të projektit Rrjeti për diversitet 2.0 – Agjenda e re.
Autore: Mirosllava Simonovska