Partitë politike shqiptare harxhojnë shumë energji në polemika shterpe. Merrem me akuza të ndërsjella për përfitime politike ditore. Mllefi, akuzat e ofendimet e kontaminojnë ambientin politik dhe shoqëror. “Fjalët e rënda” shkaktojnë armiqësi të thella. Politikanëve kurdoherë u rikthehet arroganca si bumerang. Hafiz Ali Korça shkroi: “Nuk duhet të mbushim gjuhën tonë engjullore me gjemba e me ferra, se nuk i qërojmë dot më vonë”…
Gjuha mund të jetë “mjet” komunikimi e mirëkuptimi, por edhe keqkuptimi e acarimi, edhe pse fjala “mjet” duket e papërshtatshme, sepse gjuha nuk është diçka materiale.
Sokrati tha se keqpërdorimi i gjuhës nxit të keqen në shpirt. Sipas Ursula Le Guin-it, shkrimtarët kujdesen se çfarë thonë e si e thonë, kurse politikanët e reklamuesit e keqpërdorin gjuhën për përfitime dhe nuk mbajnë përgjegjësi se çfarë kuptimi kanë fjalët. “Gjuha e përdorur si mjet për të fituar pushtet ose për të bërë para shkon keq: ajo gënjen”, shkroi ajo.
Derisa partitë shqiptare veprojnë si në fushatë parazgjedhore, të tjerë përfitojnë nga ndasitë e thella midis tyre.
Që t’i nënshtronte sa më lehtë kundërshtarët, Aristoteli i sugjeroi Lekës që në shpirtin e tyre të mbillte farën e përçarjes dhe të urrejtjes. Derisa kundërshtarët do të grindeshin, Leka do të bëhej gjykatësi i palëve të armiqësuara dhe do t’ua bllokonte rrugëdaljet…
Në skenën politike shqiptare kemi edhe axhamillëk, edhe pse politikanët nuk janë adoleshentë. Skena politike shpesh i ngjan një kafeneje provinciale ku vlojnë fyerjet dhe polemikat për retë kalimtare. Kemi politikanë që e shohin politikën si “reality show”. Të tjerë, në vend të fuqisë politike, tregojnë fuqi fizike. Shpesh përdoren edhe fjalët “patriotë” e “tradhtarë”. Zakonisht nga ata që nuk kanë bërë asgjë për të qenë patriotë. Askush nuk ka të drejtë të ndajë certifikata patriotizmi apo tradhtie.
Përgjithësisht, kemi mungesë të madhe të kulturës gjatë komunikimit publik e politik. Shpesh komunikohet me gjuhë të drunjtë dhe banale. Epidemisë së fjalamanisë, sipas një analize të Portalb-it, nuk i shmangën as gratë politikane.
Autoritetet politike duhet ta largojnë edhe logjikën e linçimit ndaj kritikuesve të partive të ndryshme apo të qeverisë, sepse kjo e pengon demokratizimin e shoqërisë.
Kam konsideratë për disa politikanë e politikane dhe ende shpresoj që do të reflektojnë; se do t’u thonë bashkëpartiakëve që politika nuk është farsë, por veprimtari serioze, e cila një kombi mund t’i sjellë mbrothësi, por edhe mund ta shpie drejt humnerës.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.