Gjeografët armenë, Hugas Indjedjian dhe Stepanos Kuver Agontz-i e botuan më 1804 librin Gjeografia e gjithë botës me 12 vëllime. Në vëllimin e gjashtë flitet për Sanxhakun e Shkupit, ku përfshiheshin Shkupi (Uskub, Skopion), Tetova (Kalkandelen), Kërçova (Krçova), Velesi (Kopri), Prilepi (Pririlepe), Këvërçëku (tani nuk ekziston), Kërëku (i paidentifikuar) dhe Kaçaniku. (Shih: Чужди пътеписи за Балканите V, София, 1984, f.78 – 111.)
Shkupi përshkruhet si seli pashai, 16 ditë larg Stambollit, ku grekët (ortodoksët) kishin mitropolinë e tyre. Emri i qytetit rridhte nga Scupi i lashtë. Sipas Ptolemeut, ai ndodhej në provincën e Dardanisë. Shkupi kishte bezisten të madh, treg, disa xhami, një kishë të njohur, kalanë madhështore dhe ndërtesën si minare, që kishte qenë kambanore. Te popullata myslimane shquhej dëshira e madhe për shkollim.
Tetova përshkruhet si qytet në veriperëndim të Shkupit, ku rriteshin mollët e njohura. Gjendej jo larg burimit të Vardarit, i njohur në lashtësi si Aksiusi. Në “malet e Kalkandelenit” kishte një urë të ndërtuar nga Kiprili Oglu Fazli Ahmed Pasha, vezir i sulltan Mehmetit II.
Shkodra (Iskendere, sanxhak në Arnautllëk) ishte qendër e madhe tregtare, gjashtë ditë larg Sofjes, me 25 lagje, njëzet në rrafshinë që quheshin tophane e terzihane dhe pesë lagje që quheshin tabak. Qyteti me tetë mijë familje myslimane dhe 600 të krishtera ishte selia e arqipeshkvisë. Kisha e njohur e Shën Kolit ishte shkatërruar. Qyteti kishte edhe katër xhami të ndërtuara nga Ahmed Pasha, i ati i Mahmud Pashës. Më e bukur ishte Xhamia e Hynqarit, që kishte qenë kisha e Shën Marisë. Shkodra kishte edhe dhjetë bujtina e hane.
Ohri (Ahris, Ohrida, Ahrida), që në kohët e lashta njihej si Lihnidos dhe e ndante Maqedoninë nga Iliria, kishte myslimanë, bullgarë dhe grekë. Në Ohër kishte shumë kisha dhe shtatë xhami, kurse në afërsi ishin minierat e argjendit.
Starova (Ustaruh) përshkruhet si vend përballë Ohrit. Në jug ishte manastiri Keshishlikm (Shën Naumi). Drini i Zi shënohet si Kara Trin.
Manastiri (Madnastrion) kishte qenë pasha sanxhak. Aty jetonin myslimanë, grekë dhe bullgarë.
Në libër përmenden edhe Dibra, Struga, Durrësi, Delvina, Vlora, Elbasani, Prizreni, Dukagjini, Kruja, Ishmi etj.
Shqipëria përshkruhet si vend shkëmbor, jo pjellor, me klimë të butë dhe me popullatë të varfër që s’mund t’i paguante as taksat.
Shqiptarët përshkruhen si njerëz “të fuqishëm, vullnetfortë, guximtarë dhe luftarakë”, që kishin qenë “nën mbrojtjen e perandorëve e mbretërve gjermanë” dhe “kishin luftuar edhe për venedikasit”. Ishin të famshme kalorësia dhe këmbësoria shqiptare, veçmas luftëtarët e pamposhtuar të quajtur “kabelet”. Në kohët më të lashta armët kryesore të shqiptarëve kishin qenë shigjetat, shtizat e shpatat dhe më vonë armët e zjarrit. Shqiptarët shquheshin kudo edhe si tregtarë të zotë dhe si kapitenë anijesh.
Në libër thuhet se shumica e shqiptarëve ishin myslimanë; se shqiptarët e krishterë ishin nën autoritetin e kishës greke; se rreth 40 mijë familje të krishtera jetonin kryesisht në Durrës (Duraco) dhe në bregdetin e Adriatikut dhe se në Shqipëri kishte gjashtë qendra ortodokse, por nuk jepen të dhëna për shqiptarët katolikë.
Hugas Indjedjian (Konstandinopojë, 1758 – Venedik 1833) ishte historian, gjeograf dhe klerik katolik armen. Veprat kryesore të tij janë: Shteti Osman (1804) dhe Armenia e re (1806).
Stepanos Kuver Agontz-i (Transilvani, 1740 – Venedik, 1824) botoi vepra historike, gjeografike, retorike dhe fetare. Bashkë me Inxhexhianin e botoi veprën Gjeografia e gjithë botës me të dhëna për gjeografinë, historinë, zakonet, jetën politike, ekonomike dhe kulturore të vendeve të botës.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.