Gjashtë të akuzuar në RMV, morën kredi të shpejta në emër të personave tjerë me falsifikime

Gjashtë persona janë akuzuar për marrjen e kredive të shpejta në emër të personave të tjerë, pasi falsifikonin të dhënat e Agjencisë për Punësim, ndërsa një i punësuar në Fondin e Sigurimit Shëndetësor u siguronte numrat unikë të sigurimit shëndetësor (EZBO), njoftoi Prokuroria Themelore Publike Shkup, transmeton Portalb.mk.

Të akuzuarit do të përgjigjen për falsifikim dokumentesh, keqpërdorim të të dhënave personale dhe krim kompjuterik, ndërsa kundër gjithsej 33 personave është paraqitur propozim për lëshimin e urdhrit penal në gjykatën kompetente për veprën penale mashtrim kompjuterik.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit kanë futur të dhëna të rreme në sistemin informatik të disa shoqërive financiare, duke shkaktuar rezultate të pasakta gjatë përpunimit elektronik dhe transferimit të të dhënave nga Agjencia për Punësim. Në këtë u ka ndihmuar njëri prej tyre, i punësuar në Fondin e Sigurimit Shëndetësor të Maqedonisë së Veriut, i cili u kishte vënë në dispozicion numrin EZBO, të siguruar më parë përmes kompjuterit të tij nga sistemi elektronik i Fondit.

Ata kanë përdorur dokumente të falsifikuara dhe kanë keqpërdorur të dhënat personale të qytetarëve të dëmtuar, duke marrë kredi të shpejta nga shoqëritë financiare në emër të tyre.

“Qëllimi i të akuzuarve ishte që secili prej tyre të përfitonte dobi pasurore të kundërligjshme. Katër prej tyre, me këto veprime gjatë periudhës nga shkurti 2023 deri në qershor 2024, kanë përfituar gjithsej 2,5 milionë denarë, ndërsa të tjerët gjatë viteve 2022 dhe 2023 kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme edhe 659.500 denarë shtesë. Për katër persona të përfshirë në procedurën hetimore, prokurori publik ka vendosur ndërprerjen e hetimit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Për dy prej tyre nuk u siguruan prova se kanë marrë pjesë në këtë skemë mashtrimi, ndërsa dy të tjerët kanë ndërruar jetë ndërkohë.