Organizatat e shoqërisë civile kërkojnë që Qeveria të heqë dorë nga koncesionet për hulumtime gjeologjike

Njëzet e gjashtë organizata të shoqërisë civile, iniciativa dhe një platformë kërkuan nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut t’i anulojë ose t’i shfuqizojë urgjentisht vendimet dhe thirrjet publike për ndarjen e koncesioneve për eksplorim gjeologjik të mineraleve të metaleve, transmeton Portalb.mk.

Kërkesa i referohet vendimeve të miratuara në dhjetor të vitit 2025 dhe në qershor të këtij viti për zonën “Veri-Verilindje” dhe zonën “Lindje”, si dhe thirrjes publike nga muaji shkurt i këtij viti, por edhe për çdo thirrje tjetër që do të publikohej mbi bazë të këtyre vendimeve.

Organizatat, në mesin e të cilave edhe Fondacioni për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis”, Qendra për Hulumtim dhe Informim për Mjedisin Jetësor “Eko Svest”, “Qyteti i Gjelbër Human” Iniciativa “O2”, Platforma e Organizatave të Shoqërisë Civile për Luftë Kundër Korrupsionit, por edhe organizata si “Lugina e Gjelbër”, të cilat për shumë vite me radhë po luftojnë kundër hapjes së minierave të reja, thonë se vendimet përfshijnë 29 komuna në pjesën lindore të vendit dhe se në një pjesë të konsiderueshme të këtyre zonave tashmë janë kryer eksplorime gjeologjike ose janë dhënë koncesione për eksplorim dhe shfrytëzim të detajuar të mineraleve të metaleve.

“Organizatat kërkojnë që Qeveria dhe Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale t’i ndërpresin menjëherë të gjitha aktivitetet në procedurat, duke përfshirë këtu pranimin dhe vlerësimin e ofertave dhe ankandin elektronik të caktuar për më 6 gusht të vitit 2026. Sipas analizës së organizatave vetëm nga viti 2004 me lloje të ndryshme të koncesioneve kanë qenë të përfshira rreth 100 përqind të territoreve në Probishtip, Dellçevë dhe Karbinci, 97 përqind në Pehçevë, 94 përqind në Çeshinovë-Obleshevë, 89 përqind në Kratovë, 87 përqind në Zërnovc dhe Vinicë, 86 përqind në Radovish, 85 përqind në Berovë, etj”, theksojnë nga organizatat e shoqërisë civile.

Ato paralajmërojnë se pjesë të konsiderueshme të zonave të përfshira nga Vendimet e Qeverisë për ndarjen e koncesioneve të reja përputhen me zona tashmë të eksploruara, koncesione ekzistuese dhe të mëparshme për hulumtime gjeologjike të detajuara dhe shfrytëzim të mineraleve metalike. Sipas tyre, me këtë shkilet neni 7-a paragrafi (2) i Ligjit për Burimet Minerale, i cili i ndalon hulumtimet me qëllim nxjerrjen e mineraleve në zona tashmë të eksploruara, zona për të cilat po zhvillohet procedurë pas iniciativës për ndarjen e koncesioneve për hulumtime gjeologjike të detajuara, zona tashmë të dhëna me koncesione për kryerjen e hulumtimeve gjeologjike të detajuara, koncesione për shfrytëzimin e burimeve minerale.

“Ministria ka pasur për detyrë që para dorëzimit të propozimit pranë Qeverisë t’i përcaktonte me saktësi kufijtë dhe t’i përjashtonte të gjitha zonat e përjashtuara me ligj. Përfshirja e tyre në një poligon koncesioni më të gjerë nuk është e lejuar, e as nuk mund të korrigjohet në një fazë të mëvonshme të procedurës”, theksojnë organizatat.

Për shkak të afrimit të afateve, ato kërkojnë që procedurat të ndërpriten menjëherë, ndërsa Qeveria brenda tre ditë pune t’i njoftojë me shkrim për veprimet e ndërmarra.

“Për shkak të afatit për dorëzimin e ofertave deri më 31.7.2026 dhe ankandit elektronik të caktuar për më 06.08.2026, presim që Qeveria dhe Ministria të miratojnë menjëherë një vendim të përkohshëm për ndalimin e procedurës dhe brenda tre ditë pune të na njoftojnë me shkrim për veprimet e ndërmarra. Presim që Qeveria të veprojë në përputhje me Ligjin për Burimet Minerale, t’i anulojë/shfyqizojë vendimet në fjalë, t’i ndërpresë plotësisht procedurat dhe ta parandalojë ndarjen e koncesioneve bazuar në procedurat që përfshijnë zona të përjashtuara me ligj”, kërkojnë organizatat.

Më 29 qershor, organizata ekologjike protestuan dhe kërkuan anulimin e koncesioneve për minierën Illovicë–Shtukë, pasi Gjykata e Lartë Administrative në maj riktheu në fuqi bashkimin e koncesioneve.

Më herët pati reagime publike edhe për projektin e paralajmëruar për nxjerrjen e antimonit në minierën Krstov Doll, pranë Kriva Pallankës, e cila ndodhet në fazën fillestare të hulumtimit. Kryetari i Komunës së Kriva Pallankës, Sashko Mitovski, deklaroi atëherë se nuk do të lejohet asnjë investim që do të ishte në dëm të shëndetit të qytetarëve dhe mjedisit.

Në tetor të vitit të kaluar, Ministria e Energjetikës njoftoi se ishin ndërprerë 45 koncesione në sektorin e minierave dhe energjetikës për shkak të mosrespektimit të dispozitave ligjore dhe masave ekologjike, mospagesës së tarifave të koncesionit, transferimit të koncesioneve pa pëlqim dhe shfrytëzimit jashtë zonave të lejuara.