Gjashtë predha artilerie nga Lufta e Parë Botërore të gjetura në Gjevgjeli u hoqën në mënyrë të sigurt
Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH) njoftoi se ka larguar në mënyrë të sigurt gjashtë predha artilerie nga Lufta e Parë Botërore që u gjetën në afërsi të Gjevgjelisë gjatë punimeve ndërtimore për ndërtimin e një tubacioni gazsjellësi, transmeton Portalb.mk.
Siç raportohet nga DMSH, ekipi i tyre shkoi në terren pas një raportimi nga një individ, dhe ndërhyrja për largimin e predhave u krye nga pirotekniku i Drejtorisë, Zoran Peev.
“Gjatë inspektimit në terren, u larguan në mënyrë të sigurt gjashtë predha artilerie me kalibër 75 milimetra. Këto janë predha nga periudha e Luftës së Parë Botërore, të mbetura nga Fronti i Selanikut”, thuhet në deklaratë.
Mjetet shpërthyese të gjetura u transportuan në një vend të sigurt dhe u transferuan në poligonin e stërvitjes “Krivollak”, ku do të shkatërrohen në përputhje me procedurat e përcaktuara të sigurisë.
Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim thotë se me raportimin në kohë dhe reagimin e shpejtë, u shmang një rrezik potencial për sigurinë e qytetarëve dhe punëtorëve të angazhuar në terren.
Nuk është e pazakontë që predha të mbetura nga Lufta e Parë Botërore të gjenden në rajonet Gjevgjeli-Dojran dhe Manastir, veçanërisht gjatë punimeve ndërtimore.