Fuqia dhe indiferenca
Demosteni njihet për fjalimet kundër Filipit II të Maqedonisë, të cilin e quajti “të keqen më të madhe” për athinasit. Fjalimet e tij shprehin revoltë edhe kundër indiferencës së athinasve ndaj veprimeve të Filipit.
“A ka menduar ndonjëri prej jush, athinas, pse Filipi u bë kaq i fuqishëm?”
Filipi ishte i fuqishëm shkaku i dobësisë së athinasve.
“Më çudit fakti, o athinas, që dikush në mesin tuaj e sheh fuqinë e mbretërisë së Filipit dhe nuk shqetësohet”.
Demosteni mendonte se një shtet nuk mund të shënonte mbrothësi nëse qytetarët nuk e bënin atë që ishte e drejtë dhe nëse i frikësoheshin pushtetit të tepërt të Filipit.
“Mos guxoni të mendoni se ai është njëfarë Zoti dhe mbretëria e tij do të jetë e përjetshme… Për mua, njerëzit e lirë kanë më shumë nevojë të dalin nga turpi që ua dikton gjendja e tyre”.
Filipi nuk ishte aq i fortë sa dukej, sepse ai e donte lavdinë vetëm për vete dhe nuk i duronte njerëzit me përvojë në luftime e qeverisje…
Demosteni krijoi shumë armiq për shkak të fjalimeve. Kur u sulmua fizikisht nga politikani Meidia, ai tha se shteti ishte i dështuar nëse cenohej sundimi i ligjit nga njerëz të pasur e të paskrupuj, kurse qytetarët mund të fitonin pushtet e autoritet vetëm nëpërmjet forcës së ligjeve.
Oratori ishte kundër çdo mashtrimi, sepse shteti nuk mund të fuqizohej me padrejtësi, mashtrim dhe gënjeshtra.
Sipas Demostenit, një shtet nuk mund të zhvillohej kur përparonin prijësit dhe përçmoheshin qytetarët; kur elita drejtuese ishte e pandershme; kur oratorët u përkuleshin dhe i ledhatonin prijësit; kur politikanët, oratorët e qytetarët bëheshin servilë dhe nuk e vlerësonin të drejtën për ta thënë mendimin e lirë; kur më shumë merreshin me lavdinë e tyre se me vizionin për të ardhmen; kur nuk respektoheshin dhe zbatoheshin ligjet nga ata që i miratonin; kur prijësit prej anonimëve bëheshin të lavdishëm; kur nga të varfër bëheshin të pasur; kur shtëpitë e tyre ishin më madhështore se ndërtesat publike; kur pasuria e prijësve rritej proporcionalisht me rrënimin e shtetit; kur njerëzit jepeshin pas përfitimeve të parëndësishme dhe hiqnin dorë nga detyrimet e privilegjet civile; kur më meritorët përçmoheshin në vend se të shpërbleheshin.
“Kurrë nuk do të këshilloja dikë që e njëjta pagë t’u jepej përtacëve dhe të merituarve”.
Demosteni kërkoi mos harxhoheshin paratë e shtetit për argëtim, por për mbrojtjen e atdheut; që athinasit të mos silleshin egër ndaj vetes; të mos i tradhtonin të drejtat e shtetit dhe të mos përfitonin personalisht në emër të pushtetit.
Njëherë Demosteni u foli athinasve indiferentë për rreziqet që i kanoseshin polisit, por vuri re se askush nuk e dëgjonte. Atëherë u tha të pranishmëve se kishte ardhur vetëm t’i argëtonte. Athinasit u bënë sy e vesh. Një njeri, tha Demosteni, mori me qira një gomar. I lodhur nga vapa, udhëtari u shtri të pushonte nën hijen e gomarit. I zoti kundërshtoi dhe kërkoi që udhëtari të paguante qiranë e hijes. Pasi tha këto fjalë Demosteni e lëshoi foltoren. Turma bërtiti: “Prit! Na thuaj si përfundoi rrëfimi?”. Demosteni ua ktheu: “Ju dëgjoni me pasion për hijen e gomarit dhe nuk dëshironi të dëgjoni për hallet e polisit”.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.