Në gjysmë të rrugës me gjemba: Presidenca e Hungarisë me BE-në e shoqëruar me polemika
Analizë për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.
Presidenca hungareze me BE-në ka shkaktuar polemika shumë kohë përpara se të fillonte për shkak të qëndrimeve të njohura të ndryshme gjeo-politike të Hungarisë, si dhe dosjes së saj mbi sundimin e ligjit. Madje u diskutua nëse dhe si mund të “kapërcehet” një shtet anëtar në radhën për ta marrë presidencën. Ose nuk mund të gjendej një rrugë, ose thjesht u vendos që rreziku ishte më i vogël që të durohej presidenca gjashtëmujore e Hungarisë, por Hungaria mbeti në radhë dhe në korrik të këtij viti e mori presidencën.
Vetë fillimi ishte “bombastik”. Vizitat në Rusi dhe Kinë në korrik, të paparalajmëruara te partnerët e BE-së, shkaktuan një reagim të ashpër. Kryeministri hungarez Orban i prezantoi këto vizita si një mision paqeje, duke theksuar se vendi i tij është i vetmi, si anëtar i NATO-s dhe BE-së, që mund të “flasë me të gjithë”. Përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme të Unionit, Joseph Borrell, shpejtoi të distancohet nga këto veprime të presidentit të BE-së, duke theksuar se Orbani nuk ka mandat për këtë veprim dhe se vizitat nuk janë në cilësinë e Presidentit të Unionit, por në kuadër të marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Hungarisë dhe atyre vendeve. Nga ana tjetër, Parlamenti Evropian në rezolutën e tij i vlerësoi si “shkelje flagrante të marrëveshjeve për BE-në dhe politikën e jashtme të përbashkët”.
Kontrovers ishte edhe takimi i Orbanit me Donald Trump-in, moton e të cilit Hungaria e kopjoi për presidencën e saj: “Ta bëjmë BE-në sërish të madhe”. Sipas dosjes së deritanishme rezultatet shkojnë në drejtim të kundërt për shkak të dallimeve të theksuara në politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë.
Një fillim i këtillë e ka vendosur tonin për presidencën e deritanishme dhe sigurisht që do të ketë ndikim edhe në më shumë se gjysmën e mbetur të mandatit. Komisioni Evropian ka reaguar menjëherë duke vendosur që në takimet e organizuara nga presidenca hungareze të mos dërgojë komisionerë, por nivel më të ulët të përfaqësuesve të Komisionit. Një tendencë e tillë ka edhe në mesin e shteteve anëtare, por disa besojnë se duhet të ketë prezencë në takime në nivel të lartë, pikërisht për të qenë në gjendje të thuhet ajo që duhet thënë në takimet e nivelit të lartë politik dhe për të ushtruar ndikim mbi presidencën.
Me organizimin në fund të muajit gusht të takimit joformal të ministrave të punëve të jashtme dhe mbrojtjes nga Borrell në Bruksel në vend se nga presidenca hungareze në Budapest, problemi vazhdon të ndizet. Hungaria vazhdon të bllokojë këstin e tetë prej 6 miliardë eurosh të ndihmës për Ukrainën (gjithsej me vlerë prej 50 miliardë euro). Gjithashtu po vihet në diskutim çështja e lehtësimit të regjimit të vizave të Hungarisë për qytetarët rusë, si dhe zbatimi i mëtejshëm i sanksioneve kundër Rusisë, të cilat duhet të rinovohen çdo gjashtë muaj.
Me intensifikimin e aktiviteteve të Unionit pas pushimeve verore gjithnjë e më i pranishëm është edhe shqetësimi se si do të vijojnë gjërat me tej. Shqetësim i posaçëm shprehet për organizimin e takimit të Komunitetit Politik Evropian, i cili duhet të mbahet në Budapest në 7 nëntor të vitit 2024. Gjithashtu në të njëjtën kohë duhet të mbahet një samit jozyrtar i liderëve të BE-së. Paqartësi ka edhe për formatin dhe nivelin e Samitit të Eurozonës të planifikuar për 13-14 shtator në Budapest dhe i cili zakonisht mbahet në nivel të lartë me përfaqësuesit më të lartë të të gjitha institucioneve financiare relevante.
Përndryshe, edhe pse aktivitetet legjislative në periudhën e tranzicionit të institucioneve të BE-së nuk janë shumë intensive, sigurisht që problemet ekzistuese do të ndikojnë në këtë segment të aktiviteteve të presidencës, veçanërisht në sferën e prioritetit kryesor të shpallur të presidencës hungareze – rritjen e konkurrencës së BE-së.
Sa i përket procedurave për zgjedhjen e Komisionit të ri Evropian formalisht nuk ka vend për pengesa, por marrëdhëniet e ashpërsuara pritet të lënë gjurmë edhe në këtë proces.