Front 21/42: Institucionet nuk veprojnë pas ankesës për Hotelin Gorica, ligjet nuk vlejnë në Rajonin e Ohrit
Edhe krahas ankesës së dorëzuar nga 25 organizata të shoqërisë civile, asnjë nga institucionet kompetente nuk ka vepruar brenda afatit të përcaktuar me ligj lidhur me ndërtimin e paligjshëm të hotelit në lagjen Gorica të Ohrit. Në këtë mënyrë Kabineti i Kryeministrit, Qeveria dhe Komuna e Ohrit e kanë shkelur edhe Ligjin për veprim ndaj parashtresave dhe propozimeve, paralajmëron Front 21/42, transmeton Portalb.mk.
“Lista e gjatë e shkeljeve të Ligjit për Ndërtim, Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative, Ligjit për Mjedisin Jetësor, Ligjit për Menaxhimin e Trashëgimisë Botërore, Ligjit për Mbikëqyrjen Inspektuese, Ligjit për Lidhjen, Ratifikimin dhe Ekzekutimin e Marrëveshjeve Ndërkombëtare, Konventës të Bernës dhe UNESCO-s, dhe me këtë edhe Kushtetutës, së fundmi është zgjeruar me shkelje të Ligjit për veprim ndaj parashtresave dhe propozimeve nga Kabineti i Kryeministrit, Qeveria dhe Kryetari i Komunës së Ohrit. Konkretisht, asnjë nga këto institucione nuk ka vepruar brenda afatit ligjor pas ankesës me të cilën 25 organizata ngritën alarmin për paligjshmërinë në lidhje me këtë hotel dhe kërkuan heqjen e tij”, thuhet në deklaratën e Front 21/42.
Nga Kabineti i Kryeministrit informuan se dokumentin ia kanë dërguar Komunës së Ohrit dhe Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, ndërsa nga Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë ia kanë dërguar atë përsëri Komunës. Duke vepruar kështu institucionet kanë evituar veprimin brenda kompetencave të tyre ligjore të shënuara në vetë ankesën.
Nga Front 21/42 thonë se nuk kanë marrë reagim as nga deputetët dhe as nga Zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë dhe transparencë, edhe pse të gjithë kanë marrë nga një kopje të ankesës. Ky rast që në muajin mars iu dorëzua Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, por deri më tani nuk është marrë asnjë vendim.
Krahas hotelit në Goricë, Front 21/42 alarmon edhe për një pastrim të ri të tokës brenda zonës së Studençishko Bllato në një lokacion që më parë ishte privatizuar në mënyrë të paligjshme si tokë bujqësore shtetërore. Edhe pse që në muajin prill të vitit 2023 është bërë raportim pranë Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit Jetësor, institucionet janë përgjigjur se pronarët e tokës po ndërtojnë një digë për mbrojtje nga uji. Në kumtesë theksohet edhe se vazhdon urbanizimi i Parkut Kombëtar Galiçica me mbështetjen e institucioneve. Një shembull për këtë është ndërtimi i një hoteli pa leje në fshatin Ramne, për ku është njoftuar një plan i ri urbanistik që mund ta lejojë legalizimin pikërisht të atij objekti.
Organizata gjithashtu përkujton se nga 43 masat urgjente të parashikuara me Planin Strategjik për Rehabilitimin e Rajonit të Ohrit, deri më 1 shkurt të vitit 2025 duhej të zbatoheshin të gjitha – ndërkohë që janë zbatuar vetëm 4 nga të cilat vetëm një është qenësore. Pjesa tjetër, përfshirë këtu edhe detyrimet e Qeverisë dhe Komunës së Ohrit, kanë mbetur vetëm në letër.
Konventa e Bernës pak kohë më parë i dërgoi përsëri një letër shtetit me të cilën kërkon zbatimin e pikave të vendimit 221 (2023). Dy ditë pas marrjes së letrës, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor lëshoi dy aktvendime të reja mbi kushtet për planifikimin hapësinor në territorin e Komunës së Strugës – në kundërshtim me kërkesat e Konventës.
Për më pak se një muaj Komiteti i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s do të vendosë nëse Rajoni i Ohrit do të vendoset në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik. Nga Front 21/42 thonë se institucionet vendase nuk demonstrojnë vetëdije apo përgjegjësi ndaj vlerave të trashëgimisë botërore, e as ndaj brezave të ardhshëm.
“Ndoshta vendosja në këtë listë do të parandalojë që një nga vendbanimet e para të qytetërimit evropian, ish-qendra kulturore e Bizantit, djepi i shkrim-leximit sllav dhe trashëgimia botërore e Jugosllavisë – përgjithmonë të shndërrohet në një strofull korrupsioni dhe krimi nga Maqedonia moderne”, përfundojnë nga Front 21/42.
Kujtojmë se “Ohrid SOS” dhe “Fronti 21/42” vazhdimisht kanë alarmuar se institucionet në Maqedoninë e Veriut kanë dhënë leje ndërtimi për lokacione në Ohër edhe pse e kanë ditur se janë nën mbrojtjen e UNESCO-s. Të njejtat organizata kanë denoncuar se ndërtimi i hotelit është pasojë e korrupsionit edhe pse nga kompania “Develop Group” i kanë mohuar pretendimet e tilla, duke thënë se në publik po shpërdahen informacione për hotelin për ta bllokuar investimin dhe për t’i bërë dëm qytetit, shtetit dhe kompanisë.
UNESCO, në vazhdimësi ka paralajmëruar se rajoni i Ohrit është në rrezik nga ndërtimet e paligjshme, nga urbanizimi dhe planifikimi i papërshtatshëm.