Trump nuk ka përgjigje të qartë nëse do i bashkohet apo jo sulmeve ajrore izraelite ndaj Iranit: Ndoshta do ta bëj, ndoshta jo
Donald Trump dha një përgjigje të paqartë nëse SHBA-të do t’i bashkoheshin sulmeve ajrore izraelite ndaj Iranit, pasi Ajatollah Ali Hamenei paralajmëroi për pasoja serioze nëse kjo do të ndodhte, shkruan BBC, transmeton Portalb.mk.
“Ndoshta do ta bëj, ndoshta jo. Askush nuk e di se çfarë dua të bëj. Por mund të them se Irani është në telashe dhe dëshiron të negociojë. Mendoj se është pak vonë për të folur, ka një ndryshim të madh midis tani dhe një jave më parë”, tha Trump në ceremoninë e ngritjes së një shtize të madhe të flamurit amerikan në lëndinën e Shtëpisë së Bardhë.
Disa media amerikane raportuan dje se Trump po shqyrtonte mundësinë e bashkimit me Shtetet e Bashkuara në sulmet izraelite ndaj objekteve bërthamore iraniane, të cilat nuk kishin pëlqimin e të gjithë këshilltarëve të tij më të ngushtë.
“Nuk jam i sigurt se sa do të zgjasë konflikti, sepse mbrojtja ajrore e Iranit është shkatërruar. Kam dy fjalë të thjeshta: dorëzim pa kushte”, tha Trump, duke shtuar se beson që iranianët kanë qëllime të këqija me programin e tyre bërthamor.
Ali Hamenei hodhi poshtë sot thirrjen e Trump për dorëzim pa kushte dhe tha se çdo ndërhyrje ushtarake amerikane do të shoqërohej me dëme të pariparueshme.
Hamenei përdori rrjetet sociale dje, ku tha se “beteja ka filluar” dhe kërcënoi autoritetet izraelite.
“Izraeli bëri një gabim të madh duke sulmuar Iranin dhe do të ndëshkohet për këtë. Iranianët nuk do ta harrojnë kurrë sulmin ndaj territorit të tyre dhe gjakun e martirëve. Nuk ka kompromis me Izraelin”, tha ai sot.