Frika nga tmerret e së shkuarës

Para disa vitesh një numri të konsiderueshëm shqiptarësh iu mbush mendja se u futëm në një fazë të re dhe të pakthyeshme zhvillimore, se shekulli XXI është yni, se jemi më mirë dhe më pranë njëri-tjetrit se kurdoherë, se u bëmë pjesë e qytetërimeve të mëdha, se jemi në prag të realizimit të ëndrrës Rilindëse, se…

Nuk e di pse nuk i shihja edhe unë me këtë dioptri ndryshimet me rëndësi kaq kolosale, që na shndërronin në ata që nuk ishim. Përkundrazi, diçka më thoshte se një bindje aq e fortë e njerëzve për një evolucion aq të shpejtë, s’mund të jetë tjetër pos një realitet i rremë, i ushqyer dhe mbjellur me këste të padiktueshme në mendjet tona nga qendra specialistësh të trajnuar për t’na vënë kollajshëm në gjum, si gjithë popujt e paaftë për t’u ngritur në këmbë të shëndosha me përparime të shkallëshkallshme, jo me llafe entuziaste.

Kjo ndjenjë vetmjaftueshmërie na bëri të harrojmë dorën e zgjatur nga disa shtete me në krye SHBA-në, pa përkrahjen e të cilave ndoshta nuk do të ekzistonte as Shqipëria londineze, as Kosova e bërë shtet pas aq vuajtjesh e sakrificash. Për ironi të fatit, fill pas të mirave që nisëm t’i shijojmë falë ndihmësve dashamirës, një kabile shqiptarësh nisën ta bëjnë firë ndihmën e sjellësve të lirisë, duke harruar se të këtillë siç na ka falur Zoti, të varfër dhe të paaftë për të mbrojtur veten pa ndihmën e një miku të fortë, mund të shijojmë sërish historitë e lemerishme të së shkuarës.

Më e keqja ndodhi kur në vijë të njëjtë me mendjegëzuarit, prej të cilëve nuk është imune asnjë etni, u rreshtuan edhe politikanë me poste të larta, të cilët me gafat emblematike cenuan urat e ngritura me shumë mund të afrisë shqiptaro-amerikane.

Gafën e parë e bëri kryeministri i shtetit Amë, z. Edi Rama, i cili në vitin 2016, pak ditë para se të zgjedhej Donald Trampi president i SHBA-së, deklaroi në CNN se: Ai do të jetë i rrezikshëm për Amerikën… Absurdi ndodhi në një kohë kur burrështetas vendesh gjigante, nuk guxuan t’i fusin hundët aty ku nuk e kanë vendin.

Një gafë të ngjashme bëri dhe ish kryeministri dhe ish kryetari i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, kur, në një bisedë të pëgjuar telefonike me shefin e grupit parlamentar të partisë së tij, tha: Hajt se do luj koqe me amerikanët…

Së fundmi, rrëshqiti edhe kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti, kur e quajti Sekretarin e Shtetit Amerikan “naiv”.

Pas këtyre gabimeve të bëra nga krerë kaq të lartë të politikës shqiptare, pyetjet që shtrohet vetvetishëm janë: A nuk e di paria se fyerjet e këtilla mund të dëmtojnë keq shqiptarët në stinë të liga, kur përreth sinoreve të tyre janë instaluar bazat ushtarake ruso-serbe, të gatshme për krime dhe gjenocide të reja? A nuk e dinë se popujt e vegjël kanë nevojë më shpesh se të tjerët për dorën e zgjatur të një miku të fortë, në sutuata kur s’gjenden dot rrugëdalje tjera? A nuk u vajti mendja se vjen një ditë që rishndërron në engjëj miqtë e përbuzur?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.