Frederik Rreshpja: E diela ime ishe ti

 

Ka shumë kohë që jam larg teje.
Besomë, shumë kohë s’kam patur asnjë të diel.
E diela ime ishe ti.
Nuk të premtoj ndonjë gjë të madhe;
Gjërat e mëdha i kemi konsumuar,
kur prisja agimet në gjoksin tënd.
Kthehu! Nuk të premtoj dashuri.
Me dashuri kemi tërbuar tërë botën.
Thjesht, kam mall për ty.
Por, e dashur, ç’je hënëzuat kështu?
Ah! Sa të bukur jemi, druaj do na zërë magjia.
Poeti Frederik Rreshpja nuk ka një vit të saktë të lindjes, kështu që nuk do t’ia përmendim as atë të vdekjes, pasi poetët janë të përjetshëm. Gjatë regjimit komunist u dënua dhe u burgos disa herë. U dënua në burgun famëkeq të Spaçit, nga ku kanë dalë shumë anekdota e legjenda për të. Ishte ngapak i çuditshëm, thoshte se kishte një dashuri të pamundur me vajzën e një oficeri të sigurimit të quajtur Lora, por regjimi dhunshëm i ndau, thoshte se miqtë e duan, por shteti jo.
Në fillim të viteve ’90 krijoi Shtëpinë Botuese “Evropa” dhe nxori një gazetë letrare. Krejt çka mund të thuhet për jetën e këtij poeti kontradiktor e që mban është: që ngjante si i huaj e i sjellë përdhunshëm në këtë botë të panjohur ku i duhej të mbijetonte me çdo kusht. 
(Shënim i Xh.R)