Dita Botërore e Librit dhe shkrimtari shqiptar

Dita Botërore e Librit festohet çdo 23 prill me synimin për të promovuar leximin, botimet dhe mbrojtjen e pronësisë intelektuale, ose siç e quajmë ndryshe të drejtë autori. Ishte viti 1988 kur UNESCO promovoi për herë të parë kremtimin e kësaj dite simbolike për letërsinë botërore, ndërsa nga ajo ditë gjithkund në botë institucione të ndryshme kremtojë këtë ditë, njofton Portalb.mk.

Zgjedhja e 23 prillit si Dita Ndërkombëtare e Librit është për shkak të koincidencës së vdekjes së figurave të mëdha të letërsisë si Miguel de Cervantes, Williams Shakespeare dhe Garcilaso de la Vega pikërisht në këtë datë dhe muaj. Në 1995, UNESCO vendosi të festojë 23 prillin si Ditën Botërore të Librit, dhe që nga ajo kohë data ka rëndësi në historinë e letërsisë. 23 prilli shënon përvjetorin e vdekjes dhe lindjes së shumë autorëve të tjerë të shquar, si Maurice Druon, Haldor K.Laxness, Vladimir Nabokov, Josep Pla dhe Manuel Mejia Vallejo. Prandaj, u bë e qartë për UNESCO-n të zgjidhte 23 prillin për të festuar ditën e librit në të gjithë botën.

Nga miqtë e Portalb.mk, ndajmë një përgjigje të studiuesit dhe shkrimtarit Adil Olluri i cili flet për dhurimin e librit dhe se sa fatkeq është autori shqiptar i cili dhuron librin e vet, pasi shumica refuzojnë të paguajnë për mundin e shkrimtarit:

‘’Dhurimin e librit e cilësoj si një gjest shumë fisnik, si një akt delikat dhe tejet të rëndësishëm si për dhurimtarin, po ashtu edhe për marrësin e dhuratës. Gjithnjë duhet të mendosh se kujt t’ ia dhurosh një libër dhe çfarë libri duhet ’i dhurosh. A është e vlershme dhe e denjë dhurata për dhuruesin dhe a meriton marrësi akëcilin libër që dëshiron t’ia falësh?! Këto duhet të jenë shqetësime që është mirë ta përcjellin secilin njeri që ndihet i dashuruar me librin letrar.

Shkrimtarët shqiptarë janë fatkeq në këtë drejtim, sepse libri i parë që iu bie në mend t’ia dhurojnë dikujt është pikërisht libri i tyre. Në mungesë të vëmendjes dhe lexuesve, shkrimtarët shqiptarë e shohin dhurimin apo faljen e librit si një mundësi për të qenë të lexueshëm, të pranueshëm si krijues. Është i rralli ai shkrimtar i sotëm shqiptar që nuk e ka këtë shqetësim.’’