Këtë javë, bota i dha lamtumirën një njeriu që e rishkroi kuptimin e udhëheqjes shpirtërore në epokën moderne. Papa Françesku, i cili ndërroi jetë në moshën 88-vjeçare, nuk ishte thjesht kreu i Kishës Katolike, ai ishte një zë ndërgjegjeje në një botë që shpesh është e shurdhër ndaj vuajtjes.
Që në momentin kur doli në ballkonin e Bazilikës së Shën Pjetrit në vitin 2013, i veshur jo me rroba madhështore, por me një petk të bardhë të thjeshtë, Françesku dha sinjalet për një papat ndryshe. Ai zgjodhi të jetojë jo në Pallatin Apostolik, por në shtëpinë modeste Casa Santa Marta. Ai lante këmbët e të burgosurve, hante darkë me të pastrehët dhe kërkonte që bota të mos e harrojë dinjitetin e çdo njeriu, pavarësisht racës, fesë, gjinisë apo statusit shoqëror.
Por Papa Françesku nuk mjaftohej vetëm me përulësinë, ai sfidonte pushtetin. Pontifikati i tij ishte një pasqyrë që ia vendoste përballë fytyrës ndërgjegjes globale. Ai ishte avokat i të varfërve dhe të shpërngulurve, duke këmbëngulur se një Kishë që merret vetëm me doktrinë është një Kishë e shkëputur nga jeta reale. Vepra e tij Laudato Si’ nuk ishte thjesht një dokument fetar, ishte një thirrje morale për veprim ndaj ndryshimeve klimatike, e bazuar në drejtësinë për brezat që do të vijnë dhe për vetë tokën.
Papa Françesku tregoi qëndrime të forta ndaj disa prej krizave më të rënda morale të kohës sonë. Ai ishte ndër të paktët liderë botërorë që dënoi hapur mizoritë në Gaza, duke theksuar se “terrori nuk mund të justifikojë terrorin” dhe nuk ngurroi të përdorte fjalën “gjenocid” për të përshkruar atë që po ndodh atje. Thirrja e tij për armëpushim të menjëhershëm dhe për ndalimin e dhunës brutale rezonoi fuqishëm në një kohë kur shumë liderë zgjidhnin të heshtnin ose të flisnin në mënyrë të paqartë. Po aq guximshëm, ai përballej me të kaluarën e dhimbshme të Kishës, duke e cilësuar asimilimin e detyruar dhe abuzimin sistematik të fëmijëve indigjenë në shkollat rezidenciale në Kanada si një formë të gjenocidit. Në të dy rastet, Papa Françesku nuk u tremb ta thoshte të vërtetën. Ai i quante krimet me emrin e tyre, refuzonte eufemizmat dhe kërkonte paqe të ndërtuar mbi drejtësinë dhe pranimin e realitetit.
Megjithlse i simpatizuar nga aq shumë njerëz, Françesku nuk ishte një Papë i dashur nga të gjithë. Qëndrimet e tij mbi bashkëjetesën civile të çifteve të së njëjtës gjini, përqafimi i dialogut ndërfetar dhe nxitja e reformave e bënë atë objekt kritike si nga qarqet konservatore brenda Kishës, ashtu edhe nga forca politike jashtë saj. Por qartësia e tij morale shpesh e tejkalonte zhurmën. Në një kohë përçarjeje, ai mbeti i ankoruar në dhembshuri.
Ndoshta trashëgimia e tij përmblidhet më së miri jo përmes ndonjë politike apo dekreti, por përmes pamjes së tij që ngjallte dashamirësi: një plak i veshur në të bardhë, që mbështetet me bastun, del në shesh për herë të fundit për të bekuar besimtarët, duke pëshpëritur një faleminderit të përzemërt ndaj infermieres që e bindi të dilte edhe një herë në sheshin Shën Pjetri.
Ai ishte Papa i parë nga Amerika Latine, dhe ndoshta papa i vetëm vërtet global. Ai eci krah përkrah me botën, me plagët dhe kontradiktat e saj, dhe në këtë ecje, na kujtoi të gjithëve fuqinë rrënjësore të dinjitetit njerëzor.
Në një kohë kur shumë liderë përpiqen të përçajnë, Papa Françesku kërkoi të shërojë. Dhe për këtë, ai nuk do të harrohet dhe do të kujtohet gjithmonë me shumë respekt dhe dashuri.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre