Fondacioni Metamorfozis shpalli konkurs për çmimin vjetor “Ilija Zhupanoski” për luftën kundër dezinformatave

Fondacioni për internet dhe shoqëri Metamorfozis për për të tretin vit radhazi e shpalli Konkursin për çmimin vjetor “Ilija Zhupanoski” për gazetarë, organizatat qytetare ose individë që kanë kontribuar në përballjen me dezinformatat në vend, transmeton Portalb.mk.

Do të ndahen dy çmime vjetore në dy kategori: Punimi më i mirë gazetaresk, gjegjësisht profesional i përgatitur nga organizatat e shoqërisë civile dhe individët (verifikime komplekse të fakteve, analiza të problemit të dezinformimit, punime profesionale, storje hulumtuese, etj.) dhe Përmbajtja multimediale edukative e përgatitur për të rinjtë e moshës nga 18 deri në 28 vjeç, ku teknologjitë e informacionit dhe komunikimit janë përdorur në mënyrë kreative dhe inovative, për të arritur tek të rinjtë dhe për t’i edukuar ata për të forcuar rezistencën ndaj dezinformatave.

Të drejtë pjesëmarrjeje kanë të gjithë ata që kanë krijuar dhe publikuar material autorial (individualisht ose në grup) në një gazetë, në televizion ose në portale në internet gjatë periudhës nga 1 nëntori 2025 deri më 1 tetor 2026.

Në konkurs, autorët mund të aplikojnë edhe me një seri përmbajtjesh të ndërlidhura, por që kanë të bëjnë me një temë konkrete. Me aplikimin në Konkurs, autori pranon që punimi i tij të ribotohet në Përmbledhjen e punimeve, e cila është një botim i veçantë elektronik, të cilën do ta përgatisë Metamorfozis, pas përfundimit të Konkursit.

Materialet e dorëzuara do të shqyrtohen nga një komision i përbërë nga përfaqësues relevantë të mediave dhe sferës publike. Gjatë vlerësimit të materialeve, përparësi do t’u jepet atyre materialeve që: kanë të bëjnë me dezinformatat që ka një kapacitet të lartë për të shkaktuar dëm në shoqëri; ekspozojnë dezinformata që kanë të bëjnë me interesin e gjerë publik, gjegjësisht prekin një numër të madh të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut; i rrisin njohuritë ose arrijnë në njohuri të reja për problemin e shfaqjes së dezinformatave dhe ofrojnë zgjidhje për trajtimin e këtij problemi dhe kanë qasje kreative, bashkëkohore, efektive dhe novatore në prezantimin e gjetjeve për publikun e gjerë.

Konkursi është i hapur deri më 1 tetor 2026.

Aplikimet duhet të dorëzohen në [email protected] me shënimin: Për çmimin vjetor “Ilija Zhupanoski” për gazetarët, organizatat e shoqërisë civile dhe individët që kontribuojnë në përballjen me dezinformatat në vend.

Çmimi për kategorinë e parë “Punimi më i mirë gazetaresk, gjegjësisht profesional” është 2.000 euro në kundërvlerë në denarë. Çmimi për kategorinë e dytë “Përmbajtje multimediale edukative e përgatitur për të rinjtë e moshës nga 18 deri në 28 vjeç,” është 1.000 euro në kundërvlerë në denarë.

Punonjësit e Fondacionit “Metamorfozis” nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në Konkurs. Gjithashtu, në Konkurs nuk kanë të drejtë të marrin pjesë as bashkëpunëtorët e jashtëm të “Metamorfozis” me materiale të cilat kanë qenë/janë  përgatitur dhe publikuar në kuadër të projekteve që i realizon “Metamorfozis”.

I gjithë konkursi është publikuar në këtë link.

Ilija Zhupanoski ishte një aktivist shoqëror për demokracinë dhe një luftëtar aktiv kundër dezinformatave dhe kundër sulmeve hibride dhe kibernetike ndaj demokracive në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Zhupanoski ishte një nga themeluesit e konceptit të llogaridhënies dhe transparencës digjitale, i cili kontribuoi që Qeveria e Maqedonisë të jetë e para në rajon në aspektin e transparencës dhe llogaridhënies proaktive që nga viti 2017. Ishte këshilltar për komunikime digjitale në kabinetet e Kryeministrit të Qeverisë së RMV-së në periudhën 2017-2023.

Paraprakisht ka pasur arritje të rëndësishme në fushën e aktivizmit rinor, në kuadër të programit Edukimi Ekonomik për të Rinjtë (Junior Achievement), dhe ka qenë një nga themeluesit e Shoqatës së Debatit të Maqedonisë dhe Drejtor i Forumit Arsimor Rinor (FAR). Një pjesë të karrierës së tij ka punuar edhe në sektorin privat.

Vdiq papritur në nëntor të vitit 2023 në moshën 41-vjeçare.

dy vitet e kaluara, fitues të çmimeve në konkurs ishin autorët dhe organizatat e mëposhtme:

Viti 2025

  • Në kategorinë A, çmimin e fituan Ubavka Janevska dhe Vesna Kolovska për punimin “Konti me lidhje kineze nën vellon britanike i zhviti kursimet e qytetarëve maqedonas”.
  • Në kategorinë B, çmimin e fituan Igor Stojanov dhe Toni Mihailov për punimin “Identiteti i vjedhur: Si u keqpërdor emri i doktor Nikolla Panovskit me inteligjencë artificiale?”.
  • Mirënjohje të veçanta iu ndanë: Bobi Badarevskit, Martina Lozanoska Najdovskës dhe Shoqatës “Aksioni i Përbashkët” Shkup.

Viti 2024

  • Në kategorinë A, çmimin e fitoi Instituti për Media dhe Analitikë – IMA, Shkup, për serinë e analizave dhe emisionin “Poligraf”, kushtuar dezinformatave, gjuhës së urrejtjes dhe manipulimeve mediatike.
  • Në kategorinë B, çmimin e fitoi Ardit Ramadani për punimin “Histeria mediatike për gjininë e Imane Khelif i ka rrënjët në Rusi…”.
  • Mirënjohje e veçantë iu nda Vesna Kolovskës për kontributin me përmbajtje të dedikuara për publikun e ri.