Pagat e ulëta në RMV e shuajnë motivimin e punëtorëve

Paga ime nuk është as mesatare, por kjo nuk është arsyeja e vetme se pse nuk më shkohet në punë. Kështu e përshkruan Vesna M. nga Shkupi angazhimin e reduktuar në kompaninë ku ka punuar për më shumë se 20 vjet, shkruan Kolegium.mk.

“Ajo që më prek shumë më tepër se paga e ulët janë kushtet e punës dhe qëndrimi i pronarëve ndaj punonjësve. Për shembull, atyre ju pengon nëse kondicioneri punon më gjatë se sa mendojnë ata se duhet të punojë, zëre se nuk lejojnë pushime mjekësore, nuk mund të marr ditë pushim kur dua unë, por kur ata mendojnë se duhet të më japin dhe shumë gjëra të tjera”, thotë Vesna.

Dhe ajo nuk është e vetmja që ndihet kështu. Disa bëjnë shumë më tepër punë se sa është paraparë për pozicionin në të cilin janë të punësuar. Të tjerë paguhen shumë më pak se sa puna që duhet ta bëjnë.

Tashmë për disa vite Maqedonia e Veriut ka shënuar një nivel mesatar të angazhimit në punë, ndërsa raporti i fundit “Gjendja në vendin e punës 2026” nga kompania ndërkombëtare Gallup tregon se ky trend është në rënie.

Sipas të dhënave të fundit 18 përqind e punonjësve në vend janë të angazhuar në vendin e punës, që është mbi mesataren evropiane prej 12 përqind, por nën mesataren globale prej 20 përqind. Kjo, nga ana tjetër, paraqet një rënie prej rreth 2 pikëve procentuale krahasuar me periudhën e mëparshme.

Kur bëhet fjalë për mirëqenien e përgjithshme, 33 përqind e punonjësve mendojnë se po “përparojnë”, që është dukshëm nën mesataren evropiane (49 përqind). Pjesa tjetër e fuqisë punëtore është kryesisht në një gjendje “lufte”, që nga ana tjetër flet për një ndjenjë të kufizuar stabiliteti dhe sigurie.

Ajo që është interesante është se pavarësisht angazhimit relativisht të ulët stresi emocional është më i ulët se mesatarja evropiane.

Ndërtimtari në Shkup. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Ndërtimtari në Shkup. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Vetëm 27 përqind e punonjësve kanë raportuar stres të përditshëm, që është dukshëm më i ulët se mesatarja evropiane prej 39 përqind. Ngjashëm edhe niveli i trishtimit (11 përqind) dhe vetmisë (11 përqind) janë nën mesataren globale.

Sa i përket tregut të punës, 56 përqind e punonjësve besojnë se është një kohë e mirë për të gjetur një punë.

Paga – vendimtare për angazhimin në punë

Produktiviteti më i ulët i punëtorëve, i cili në vend është ende më i lartë se mesatarja evropiane, shoqërohet më shpesh me paga të ulëta që nuk i motivojnë punonjësit. Për menaxherët e kompanive rritja e pagave është gjithmonë “zgjidhja më pak e dëshirueshme për përmirësimin e produktivitetit”.

“Megjithatë, mendoj se paga është faktori kryesor që një person të jetë më i angazhuar. Në Maqedoni rreth 90% e punonjësve punojnë në një punë që nuk është pjesë e përcaktimit të tyre dhe profesionit të tyre për të cilin janë trajnuar. Dhe pas të dhënave të tilla, i bie që vetëm paga është ajo që i motivon njerëzit të punojnë. Këtu nuk bën pjesë motivimi, as kontributi, as ajo se po bën diçka që di, as kontributi për shoqërinë ose kompaninë, sepse thjesht puna është e gabuar që në fillim”, thotë Mile Boshkov nga Konfederata e Punëdhënësve.

Paga minimale në vendin tonë është 26.000 denarë (ndër më të ulëtat në rajon), ndërsa paga mesatare është 47.000 denarë. Sipas sindikalistëve kjo nuk është e mjaftueshme për ta mbijetuar muajin me dinjitet.

Sipas të dhënave të Drejtorisë të të Ardhurave Publike në të cilat thirret sindikata, rreth 160.000 punëtorë marrin pagë nën kufirin e varfërisë. Kjo është arsyeja se pse ende po vazhdon lufta e LSM-së për rritjen e pagës minimale në Maqedoninë e Veriut në 600 euro.

Në kushte të tilla është e vështirë të kërkohet angazhim më i madh në punë nga punonjësit, e as edhe menaxherët e numrit më të madh të kompanive nuk bëjnë asgjë për ta përmirësuar atmosferën e përgjithshme të punës, thekson Boshkov.

“Në vendin tonë pjesa më e madhe, do kisha thënë para së gjithash kompanitë e mëdha, privatizohen në mënyrë të dyshimtë. Ata menaxherë që i kanë marrë përsipër kompanitë i kanë marrë ato si dhuratë dhe nuk mund të kujdesen kurrë për to, ashtu siç do të kujdeseshin pronarët që kanë një histori trashëgimie familjare korporative. Dhe për këtë arsye në vendin tonë, ndoshta pas njëzet vitesh, nëse ekziston ky koncept i ekonomisë të tregut të lirë, ndoshta do të fillojë të ndryshojë gjendja dhe kuptimi se kompania është një sistem si trupi ose shoqëria dhe se duhet të ndërtohet vazhdimisht”, përfundon Boshkov.

Denarë, foto nga Meta.mk
Denarë, foto nga Meta.mk

Edhe në Evropë “nuk lulëzojnë lulet”.

Edhe Evropa po përballet me një sfidë serioze kur bëhet fjalë për angazhimin në punë. Sipas të njëjtave të dhëna 13 përqind e punonjësve në kontinent konsiderohen vërtet të angazhuar në punë, gjë që e pozicionon Evropën si rajonin me nivelin më të ulët të angazhimit në nivel botëror.

Shumica e fuqisë punëtore, 73 përqind, bën pjesë në kategorinë “të paangazhuar”, që do të thotë punonjës që e kryejnë punën e tyre pa shumë motivim ose angazhim. 15 përqind të tjerë janë “të paangazhuar në mënyrë aktive”, që do të thotë se ata jo vetëm që janë të pakënaqur, por edhe mund të ndikojnë negativisht në produktivitet dhe mjedisin e punës.

Ekspertët paralajmërojnë se problemi me angazhimin e ulët nuk është afatshkurtër, por strukturor, dhe kërkon ndryshime sistemike në menaxhimin, kulturën organizative dhe marrëdhëniet me punonjësit. Në të kundërtën kontinenti rrezikon të përballet me produktivitet të reduktuar afatgjatë dhe potencial ekonomik të humbur.

Nivele shqetësuese të angazhimit në të gjithë botën

Sipas raportit të fundit të Gallup fuqia punëtore globale tregon nivele të moderuara, por ende shqetësuese të angazhimit. Në nivel botëror rreth 20 përqind e punonjësve konsiderohen të angazhuar në punë, një rritje e lehtë nga vitet e kaluara, por që vazhdon të tregojë se shumica e punonjësve nuk janë plotësisht të përfshirë në punën e tyre.

Sipas të dhënave “të paangazhuar” janë pothuajse 64 përqind e punonjësve, që do të thotë se punojnë pa shumë motivim ose lidhje emocionale me detyrat e tyre të punës. 15 përqind të tjerë janë “të paangazhuar në mënyrë aktive”, që do të thotë se ata jo vetëm që janë të pakënaqur, por edhe mund të ndikojnë negativisht në produktivitet dhe mjedisin e punës.

Foto nga Icons8 Team / Unsplash
Foto nga Icons8 Team / Unsplash

Pavarësisht përmirësimeve të caktuara, raporti konstaton se bota vazhdon të përballet me një hendek serioz midis potencialit të fuqisë punëtore dhe efektivitetit të saj aktual, gjë që përbën një sfidë për kompanitë dhe ekonomitë në tërësi.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut po përballet me krizë serioze demografike, me numrin e pensionistëve në rritje, ndërsa numri i të rinjve dhe fëmijëve është vazhdimisht në rënie. Sipas raportit të fundit të e Entit Shtetërore të Revizionit (ESHR), arsyeja kryesore për trendet e tilla negative nuk është vetëm shkalla e ulët e lindjeve, por edhe rritja e emigrimit të popullsisë.

Revizioni, i cili mbulon periudhën nga viti 2014 deri në qershor 2024, tregon se pavarësisht masave të caktuara nga institucionet, nuk ofrohet kujdes i përshtatshëm për personat mbi 65 vjeç, as nuk garantohet qëndrueshmëria afatgjatë e sistemit të pensioneve. Parashikimet demografike janë veçanërisht shqetësuese – deri në vitin 2055, pjesa e popullsisë mbi 65 vjeç pritet të kalojë 34 përqind, ndërsa numri i personave mbi 80 vjeç do të rritet më shumë se gjashtë herë krahasuar me vitin 2024. Në të njëjtën kohë, popullsia në moshë pune do të ulet me rreth gjysmë milioni njerëz, gjë që do të rrisë më tej presionin mbi financat publike.