FNA u kërkoi institucioneve të sigurojnë zbatim të plotë të të drejtave gjuhësore të studentëve në RMV
Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA) ka theksuar se e drejta e studentëve për të dhënë provime dhe për t’u qasur në proceset profesionale në gjuhën e tyre amtare është një e drejtë e garantuar nga Kushtetuta, ligjet në fuqi dhe parimi i barazisë në qasjen ndaj arsimit dhe profesionit, transmeton Portalb.mk.
Sipas FNA-së, në një shoqëri demokratike dhe multietnike, të drejtat gjuhësore nuk duhet të trajtohen si privilegj politik, por si standard juridik dhe institucional. Organizata thekson se kjo çështje është veçanërisht e rëndësishme në fusha profesionale si drejtësia, ku saktësia e terminologjisë dhe kuptimi i nuancave juridike është thelbësor për vlerësim të drejtë dhe profesional.
“Në një shoqëri demokratike dhe multietnike, garantimi i të drejtave gjuhësore nuk duhet të trajtohet si privilegj politik, por si standard institucional dhe juridik. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në fusha si drejtësia, ku kuptimi i saktë i terminologjisë dhe nuancave juridike është esencial për vlerësim të drejtë dhe profesional”, thonë nga FNA.
FNA u ka bërë thirrje institucioneve kompetente që të ndërmarrin hapa konkretë për zbatimin e plotë dhe efektiv të të drejtave të garantuara me ligj. Sipas tyre, moszbatimi i këtyre të drejtave mund të krijojë pasiguri, tensione dhe ndjenjë pabarazie te studentët.
Në deklaratën e saj, FNA thekson gjithashtu se të drejtat themelore nuk duhet të varen nga politikat ditore apo vullneti i momentit i institucioneve. Ato, sipas organizatës, duhet të garantohen dhe zbatohen në mënyrë konsekuente, pasi një shtet demokratik vlerësohet jo vetëm nga deklarimi i të drejtave në letër, por nga mënyra e zbatimit të tyre në praktikë.
Studentët shqiptarë kanë paralajmëruar një protestë të re më 18 maj në Shkup, duke kërkuar mundësimin e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Çështja është shoqëruar me reagime dhe përplasje institucionale në muajt e fundit. Derisa Ministria e Drejtësisë ka insistuar se ligji aktual nuk e lejon mbajtjen e provimit në shqip, Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve dhe Avokati i Popullit kanë kërkuar harmonizim të legjislacionit me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Në ndërkohë, kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se shumë shpejt do të dalin me propozim-zgjidhje.
Ekspertët dhe shoqëria civile kanë vlerësuar se provimi në shqip nuk përbën rrezik dhe duhet të reflektojë realitetin demografik.
Kujtojmë se Propozim-ligj i cili do të mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ishte gati në vitin 2024 nga Ministria e Drejtësisë, por me ndryshimin e përbërjes parlamentare dhe qeverisë së re, e njëjta u hoq nga agjenda e kuvendit dhe s’u përmend fare nga qeveria aktuale.
Ligji për Zbatimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi në vitin 2019, nga atëherë janë ndërruar katër ministra të drejtësisë, edhe atë Bojan Mariçiq, Nikolla Tupançevski, Krenar Lloga dhe aktualisht është Igor Filkov. Në vitet paraprake edhe kur s’ka pasur ministër shqiptar, zëvendësi ka qenë i përkatësisë shqiptare.
- LEXO: Provimi i jurisprudencës në shqip: Qeveria e RMV-së paralajmëroi “së shpejti” zgjidhje
- LEXO: Studentët protestuan: Ministër Filkov mos rri në dritare! Respektoni ligjin dhe të drejtën e studentëve shqiptarë (VIDEO)
- LEXO: Ministria e Drejtësisë nuk ‘dorëzohet’: S’ka provim të jurisprudencës në shqip, në protestë nuk pati simbole shtetërore
- LEXO: Jurisprudenca: Derisa studentët protestojnë në rrugë Mickoski vazhdon me premtime për zgjidhje, Osmani i BDI-së alarmoi faktorin ndërkombëtar