Filozofia si “bisedë e pavdekshme”

Filozofia është një dritë e madhe dhe e nevojshme, pa të cilën shoqëria njerëzore nuk mund të ekzistojë ose të përparojë.

-Francis Bacon

Më 20 nëntor Fakulteti i Shkencave Shoqërore Bashkëkohore i UEJL-së ishte nikoqir i një eventi jo të çdoditshëm, të rrallë, për kontekstin tonë, debat lidhur me filozofinë, vlerat dhe demokracinë ku kryeaktori ishte filozofi shqiptar i brezit të ri Sead Zimeri, ligjërues në Universitetin Nord të Norvegjisë, i doktoruar për filozofi morali (Univ. Tromsø-s), autor i veprës The Morality of Law (2022) dhe shumë artikujve lidhur me urtësinë, metafizikën, filozofinë sociale dhe politike, kulturën, lirinë, Kantin etj. Në këtë ndejë në një mjedis akademik, filozofi i zënë ngoje, fjalimin e tij e nisi me tezën se filozofia është një mënyrë e të menduarit, një traditë specifike recionale që dallon nga të tjerat ngaqë me çdo kusht mëton lirinë. “Filozofia është ligjërim emancipues, që kërkon të thyejë prangat tona, t’i ndryshojë njohuritë tona të gabuara, paragjykimet dhe çdo gjë që shkel lirinë.” (2024) Mishërimi i kësaj pikëpamjeje emancipuese është vetë Sokrati që konsiderohet filozofi i parë, i kësaj disipline që është tipike europiane, që niset nga dialogjia, bashkëbisedimi mbi të vërtetën. Në këtë drejtim kritika është një instrument i pashmangshëm filozofik. Filozofia duke kërkuar të vërtetën nuk vendos monopol, nuk shtyp, nuk ndrydh askënd, nuk ngërthen dogma të pakontestueshme. Filozofia nuk është si religjioni që krijon komunitetin e vet, ithtarët fanatikë, por individë që mendojnë lirshëm.

Filozofia si njohje e tjetrit

Sipas Zimerit, ndryshe nga traditat e tjera, “filozofia mbështetet vetëm në vetvete. Në arsye. Ajo është gjithashtu radikalisht e hapur—çdokush mund t’i bashkohet dhe të bëhet filozof. Nuk nevojitet as fakultet as doktrinë, por thjesht një qasje njerëzore, një njohje e realitetit të tjetrit si partner bashkëbisedues. Pra kusht është pranimi i lirisë reciproke dhe të barabartë të tjetrit. Kjo është e domosdoshme sepse nuk mund të filozofojmë vetë. Nuk mundemi as të mendojmë vetë. Meqë njohja e tjetrit është parakusht për filozofi, kjo nënkupton respektin për të vërtetën, për njohuritë e vërteta, sepse vetëm duke e respektuar të vërteten ne e respektojmë njëri tjetrin.”

“Pa kritikë nuk ka filozofi dhe pa filozofi nuk mund të mësohet dialogu. Zakonisht fillojmë të filozofojmë kur bëhemi skeptikë, kur nisim të dyshojmë për diçka. Ne kemi dëgjuar të thuhet se filozofët thjesht pëlqejnë të vënë në pikëpyetje gjërat për hir të vënies në pikëpyetje. Por kjo nuk është e vërtetë: i vëmë në pikëpyetje sepse bindemi se përgjigjet që kemi janë të pakënaqshme. I vëmë në pikëpyetje gjërat sepse dyshojmë, nuk jemi të bindur. Në këtë kuptim, pyetjet janë ato që përcaktojnë filozofinë, jo domosdoshmërisht përgjigjet. Kjo nuk do të thotë se përgjigjet janë të parëndësishme. Kur gjejmë një përgjigje që kënaq kuriozitetin tonë, shtysën tonë për dijen, aty edhe përfundon filozofia.”

Filozofia si vetë-korrigjim

Filozofia është një traditë që korrigjon veten. Ky vetë-korrigjim ndonjëherë duhet të nxitet nga jashtë; kështu, për shembull, “unë e interpretoj angazhimin e Habermas-it me fenë”. Kishte një kohë kur sekularizmi si botëkuptim kishte hegjemoni të plotë, dhe dukej sikur feja ishte në rrugën e zhdukjes. Filozofia nuk e ndryshoi  qasjen e saj kritik ndaj fesë sepse kishte ndryshuar qëndrimin ndaj fesë por sepse një qëndrim i tillë ishte në shpërputhje të plotë me natyrën e filozofisë, si dhe ngase feja nuk ishte zhdukur. Filozofia nuk mund të pretendonte më se feja nuk kishte rëndësi, se ishte një gjë e së kaluarës. Ajo që kërkohej, pra, ishte të fillonte të sfidonte pikëpamjen e vet mbi fenë. Ishte një pikëpamje përjashtuese dhe supozonte shumë gjëra negative për fenë. Feja kishte ndryshuar si rrjedhim i sekularizmit, kishte mësuar një mësim që filozofia nuk e kishte mësuar si duhet: se gjërat ndryshojnë.

Filozofia dhe demokracia

Kur e reduktojmë demokracinë në minimumin e saj, në parimin e saj, konstatojmë se “dialogu është një formë komunikimi që ka për qëllim të zgjidhë problemet rreth jetës së përbashkët. Zgjidhja e problemeve arrihet duke folur së bashku. Në fakt, çfarë është filozofia? Është një formë të foluri, një mënyrë dialogimi. Kjo është ajo që bënte Sokrati, dhe kështu shkroi Platoni dialogët e tij e mirënjohur. Filozofia është një formë komunikimi dialogjik që kërkon të gjejë të vërtetën, të bukurën dhe të mirën. Është një projekt kolektiv.” Siç shprehet Nel Noddings, është një bisedë e pavdekshme.

Ne dhe filozofia

Sipas Zimerit, ne nuk kemi mësuar filozofi dhe nuk e kemi bërë filozofinë një pjesë integrale të sistemit tonë arsimor dhe të kulturës sonë. Nuk e kemi përvetësuar këtë traditë siç i kemi përvetësuar disa tradita të tjera. E kemi trajtuar filozofinë si të huaj, si të padobishme. S’ka më autentike evropiane se filozofia. Dhe nëse vërtet aspirojmë të jemi evropianë, duhet të njihemi me këtë traditë të lavdishme. Duhet ta bëjmë tonën. Kur përçmojmë filozofinë, ne në fakt përçmojmë lirinë tonë për të menduar dhe lirinë tonë për të vendosur vetë, në mënyrë demokratike pra, për fatin tonë. Nuk ka mundësi të krijojmë vlera demokratike pa një formim filozofik, pa një hapje të vërtetë ndaj tjetrit, pa respektimin e tjetrit si bashkëbisedues, si partner apo si qytetar.”

Pyetje kritike

Natyrisht që çdo tezë gjeneron qëmtime e analiza që nxjerrin në pah pyetje që prodhojnë elaborime të mëtutjeshme zinxhirore që hapin shtigje e horizonte për ndriçim të shumë termave e dukurive. Ndër pyetjet që na lindën nga ky debat dhe ky elaborim i mprehtë janë këto: Nëse demokracia është ngushtë e lidhur me filozofinë, si arritën të demokratizohen vende jofilozofike si ato skandinave? Nëse filozofia është kategori europiane, atëherë a do të thotë kjo se popujt tjetër janë të gjykuar me pamundësi për të gjeneruar filozofi? Çfarë të themi për disiplinën filozofike të konfucianizmit, taoizmit, të budizmit? Po filozofia islame që ka një thesar tepër të begatë filozofik? Filozofia nuk është violente per se. Po filozofë si Niçe, Heidegger, Sorel, që thuhet se kanë frymëzuar fashizmin? Po filozofë etikisht të falimentuar ([ethically bankrupt]- Dabashi, 2024) si Habermas me qëndrimet e tyre kontradiktore lidhur me Gazën?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.