Filmi “Pikë uji” do ta përfaqësojë Shqipërinë në “Oskar 2025”, Budina: Pas ndarjes gjeografike mendoj se ka ardhur koha që të bashkohemi përmes artit

Filmi i metrazhit të gjatë “Pikë uji” do të përfaqësojë Shqipërinë në “Oskar 2025”. Filmi me skenar dhe regji të Robert Budinës dhe me prouducente Sabina Kodra, sjell një histori të Aidës e cila është një grua në karrierë, por që jeta e përplas me një problem familjar, problem pastaj që shpërfaq fuqinë e politikës dhe drejtësisë. Lidhur me filmin, tematikën, shfaqjen e tij para publikut, por edhe pjesëmarrjen në “Oskar 2025” Portalb.mk bisedoi me regjisorin e filmit Robert Budina.

Portalb.mk: “Pikë Uji” është shfaqur në Shqipëri por edhe jashtë vendit, si është pritur nga publiku?

Robert Budina: Duke pasur parasysh se është një film i vështirë dhe trajton tema provokative, mendoja se do të ishte pak e vështirë që publiku ta ndiqte masivisht. Mirëpo pasi u shfaq, për mediat, gazetarët shkruan kritika shumë pozitive për filmin, kjo ndihmoi që filmi të qëndronte rreth një muaj në kinematë shqiptare dhe më deri tani është shfaqur në tre qytete të tjera Pogradec, Korçë dhe Gjirokastër dhe publiku e ka ndjekur me shumë interes filmin. Njëkohësisht ne kemi organizuar projeksione të dedikuara për shkollat e mesme dhe kemi zhvilluar biseda shumë interesante me nxënësit mbi temat e filmit meqenëse aty trajtohen edhe problemet e edukimit të adoleshentëve.

Filmi “Pikë Uji” gjatë premierës në Warsaw International Film Festival. Foto: Robert Budina (Facebook)
Filmi “Pikë Uji” gjatë premierës në Warsaw International Film Festival. Foto: Robert Budina (Facebook)

Portalb.mk: Pse pikërisht e titullove “Pikë uji” na trego në pika të shkurtra se çfarë mesazhi përçon filmi deri tek audienca?

Robert Budina: Titulli ka lidhje me metaforën e gotës së Pitagorës, ku nëse hedh edhe një pikë uji më shumë se niveli i lejuar ajo derdhet e gjitha, sipas një parimi fizik që ai e ndërtoj gotën. Metafora është që një pikë uji sjell ndryshme të mëdha rrënjësore, kështu personazhi kryesor Aida, e cila ka arritur gjithçka në jetë, sheh t’i “derdhet gota” kur djali i saj adoleshent akuzohet për përdhunimin e një shoqeje të klasës. Nga ana tjetër një thënie shqiptare thotë se me një pikë uji mund të laget një djalë, por nuk mjafton një det i tërë, kur bëhet fjalë për një vajzë, kur bëhet fjalë për moralin.

Portalb.mk: Si regjisor, sa ishte e vështirë që problemet me të cilat përballet shoqëria t’i paraqesësh në film?

Robert Budina: Filmat autor që ne realizojmë kanë një vështirësi të dyfishtë, duhet të jenë origjinalë në histori lokale dhe të transmetojnë mesazhe universale. Një histori shqiptare duhet t’i flasë edhe një publiku evropian. Duke qenë se ne e kemi shfaqur me sukses filmin para një publiku shqiptar dhe jemi përzgjedhur në shumë festivale ndërkombëtare të rëndësishëm mendoj se ia kemi arritur qëllimit.

Filmi “Pikë Uji” gjatë premierës në Warsaw International Film Festival. Foto: Robert Budina (Facebook)
Filmi “Pikë Uji” gjatë premierës në Warsaw International Film Festival. Foto: Robert Budina (Facebook)

Portalb.mk: Pasi që filmi ka hyrë në garë për Oskar i cili do të mbahet gjatë këtij viti, çka prisni si regjisor?

Robert Budina: Gara për listën e shkurtër për Oskar ka përfunduar tashmë, sipas një kritiku amerikan të certifikuar nga Rotten Tomatoes, filmi ynë bënte pjesë në atë kategori, ku për sa arsye duhej të ishte në listën shkurtër, sipas tij ne bënim pjesë në 30 filmat më të mirë ndër 85 që ishin në garë dhe aktorja kryesore Gresa Pallaska, sipas tij bënte pjesë në 10 aktorët më të mira kryesore. Më tej “Cineuropa” dhe “Variety”, shkruajtën artikuj me terma entuziastë për filmin.

Portalb.mk: Si qëndron bashkëpunimi mes Shqipërisë, Maqedonisë së veriut dhe Kosovës pasi ky film realizohet në bashkëpunim mes të tria vendeve?

Robert Budina: Që në gjenezë ne patëm menduar të realizonim një film me aktorë shqiptarë nga të tre vendet tona, sepse kjo na bashkon kulturalisht dhe na kompaktëson në kulturën tonë të përbashkët si popuj që i përkasim të njëjtit komb. Bashkëpunimi me Adem Karagën nga Maqedonia e Veriut dhe Gresa Pallaska nga Kosova është një vlerë e shtuar për filmin. Pas një ndarje të gjatë gjeografike mendoj se ka ardhur koha që ne të bashkohemi përmes artit.

Portalb.mk: Kur pritet filmi të shfaqet në Maqedoninë e Veriut?

Robert Budina: Jemi duke e përgatitur premierën në Maqedoninë e Veriu, por ende nuk e kemi një datë të përcaktuar. Shpresojmë të ndodhë sa më shpejt.

Aifshja e filmit “Pikë Uji”. Foto: Robert Budina (Facebook)
Aifshja e filmit “Pikë Uji”. Foto: Robert Budina (Facebook)