Filloi manifestimi ”Epopeja e UÇK-së”, 27 vjet lavdi
“Epopeja e UÇK-së” është ngjarja me të cilën për tri ditë me radhë kujtohet komandanti legjendar Adem Jashari dhe familja e tij, të cilët u sakrifikuan për lirinë e Kosovës. Këtë ditë, nderohen edhe të gjithë heronjtë, dëshmorët dhe martirët, të cilët nuk e kursyen jetën për të realizuar një ëndërr që është bartur tek ne brez pas brezi-Lirinë, transmeton Portalb.mk.
Adem Jashari dhe familja e tij dhanë jetën e tyre në mbrojtje të lirisë, duke e kthyer sakrificën e tyre në një simbol të bashkimit dhe vendosmërisë kombëtare.
Kjo ngjarje e rëndë më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 kishte ngritur çështjen e Kosovës në krye të agjendës botërore, dhe vazhdon të jetë një kujtim i lavdishëm për historinë e kombit tonë.
Sot bëhen 27 vjet nga rënia e komandantit legjendar Adem Jasharit, që bashkë me familjen e tij dhe Jasharët e tjerë e mbrojtën Kosovën nga okupatori serb. Me rënien heroike të tij, Kosova mundi frikën dhe i hapi shtigjet e lirisë dhe të ardhmërisë. Në Lagjen e Jasharëve në Prekaz është ngritur monumenti më i madh për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe më 5, 6 e 7 mars të çdo viti, kombi shqiptar kthehet me respekt dhe admirim për ta kujtuar këtë ngjarje të lavdishme të historisë sonë më të re.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në mbledhjen solemne të Qeverisë së Kosovës me rastin e shënimit të Epopesë së UÇK-së, ka thënë se kjo epope ka vetëm një adresë: lirinë nga pushtuesi serb dhe një horizont bashkimi.
“Sot na ndajnë 27 mote prej ngjarjes me të lavdishme. Ato tri ditë të marsit i kemi quajtur Epopeja e UÇK-së… Kjo na ka përcaktuar ritmin e mendimit dhe veprimit politik dhe jo vetëm. Na takon neve ta ruajmë atë ritëm të bërjes së historisë. Çka është përcaktimi i ritmit, atë e gjejmë në fjalët e bacës Rifat ku tha ‘mbi luftën e gjakun të gjejmë gjuhën e përbashkët’. Epopeja e UÇK-së ka vetëm një adresë lirinë nga pushtuesi serb dhe një horizont bashkimin tonë. Ngjarjet e marsit janë një ngjarje e përkryer, ngjarje që përcakton fushën e veprimit, që nga ajo ditë çdo politikë e jona është politikë e caktuar”, ka thënë Kurti.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar sot ”Epopenë e UÇK-së” dhe 27 vjetorin e rënies së komandantit legjendar, Adem Jashari.
Osmani, përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se kjo epope është një testament i qëndresës, i sakrificës dhe i pathyeshmërisë së popullit tonë.
“Epopeja e UÇK-së, është një testament i përjetshëm i qëndresës, i sakrificës dhe i pathyeshmërisë së popullit tonë”, ka shkruar presidentja Osmani.
Në 27-vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari, dëshmorëve të kombit si dhe të gjithë të rënëve për liri, Qeveria e Kosovës më 5, 6 dhe 7 mars organizon manifestimin gjithëpopullor “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
