Filloi fushata “Ne jemi Evropë”, qeveritarët me porosi se e ardhmja e vendit duhet të jetë në BE

Sonte në Shkup filloi fushata e Qeverisë “Ne jemi Europë”. Në këtë ngjarje kryeministri Dimitar Kovaçevski duke përmendur deklaratën e presidentit të Këshillit të BE-së – Charles Michel tha se ekziston standard konkret për zgjerimin e BE-së në vitin 2030, dhe se ata që janë më të shpejtë në reforma do të jenë të parët që do të futen në BE, transmeton Portalb.mk.

“Pas një kohe të gjatë presidenti i Këshillit Evropian tha se ekziston një standard konkret për zgjerimin e Bashkimit Evropian, që është viti 2030 dhe është po i njëjti vit për të cilin ne themi që Maqedonia e Veriut do të jetë gati”, tha Kovaçevski.

Ndër të tjera ai nënvizoi se dëshiron të mohojë propagandistët e paguar nga vendet e treta që nuk duan ta shohin  vendin në BE.

Zëvendëskryeministri për çështje evropiane – Bojan Mariçiq theksoi se pyetja themelore e kësaj fushate është se ku duam të përket Maqedonia e Veriut: a duam t’i përkasim këtij projekti më të madh politik dhe ekonomik të paqes (BE), apo a duam të besojmë në histori alternative në të cilat shumë pak njerëz besojnë dhe nga të cilat askush nuk ka parë ndonjë përfitim.

“RMV-ja pa dyshim i përket Bashkimit Evropian. Qytetarët tanë dëshirojnë pa hezitim të jenë pjesë e Bashkimit Evropian. Mrekullia jonë ekonomike, zhvillimi ynë politik dhe projekti ynë i paqes është i mundur vetëm në BE”, theksoi Mariçiq.

Ministri i Ekonomisë – Kreshnik Bekteshi theksoi se BE-ja është një mrekulli ekonomike që nuk lejon 10 apo 20 persona të mbajnë peng shtetin.

“Që nga pavarësia e deri më tani mund të numërojmë 10-15 biznesmenë që janë më të mëdhenjtë në vend, për këtë ne si vend duhet të punojmë që të rinjtë të mos e shohin të ardhmen e tyre në administratë, por të punojnë për t’u bërë konkurrues në treg dhe të duan të punojnë në sektorin privat. Të duan të konkurrojnë me këta oligarkë. Të rinjtë tanë duan të shkojnë të punojnë jashtë sepse atje mund të punojnë, të sjellin risi dhe të konkurrojnë me kompanitë milionere evropiane dhe globale. Prandaj e ardhmja jonë është Bashkimi Evropian”, tha Bekteshi.

Ambasadori i Mbretërisë së Spanjës – Jose Luiz Lozano Garcia, përcolli përvojën e vendit të tij në anëtarësimin në BE.

“Hyrja e Spanjës në BE për vendin nënkuptonte hapjen kryesore dhe modernizimin e ekonomisë spanjolle, e cila çoi në stabilitet më të madh buxhetor dhe ishte nxitje për të ndërmarrë disa reforma strukturore. Anëtarësimi në këtë klub ofron garanci paqeje, stabiliteti dhe sigurie”, tha Jose Luiz Lozano Garcia.

Në këtë ngjarje folën edhe Bllagica Petreski nga Finance Think si dhe Irena Jakimovska nga kompania “Komfi Angel”.

Fushata “Ne jemi Evropë” filloi sonte në Shkup me forumin mbi temën “BE për ekonominë maqedonase”. Ngjarja është pjesë e karvanit informativ nën moton “Panairi i vlerave evropiane” ku do të prezantohen mundësitë dhe përfitimet që ofron anëtarësimi në BE.

Fushata “Ne jemi Evropë” do të zbatohet në tetë qytete të vendit – Shkup, Manastir, Kumanovë, Ohër, Prilep, Strumicë, Tetovë dhe Shtip. Temat që do të trajtohen janë ekonomia, kultura, energjia, turizmi, bujqësia, rinia, infrastruktura dhe politikat sociale.

Përndryshe, me 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.