U bë edhe një tjetër hap për ta garantuar të drejtën e fëmijëve për mjedis jetësor të shëndetshëm

Duke publikuar një interpretim gjithëpërfshirës të detyrimeve të shteteve anëtare sipas Konventës së OKB-së për të Drejtat e Fëmijës, Komiteti i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës sot në mënyrë eksplicite ka konfirmuar të drejtën e fëmijëve për një mjedis jetësor të pastër, të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm, transmeton Portalb.mk.

Ky koment i përgjithshëm duhet të shërbejë si një përkujtim për të mbajtur përpjekjet për veprimin klimatik, njëkohësisht duke e kuptuar se ky veprim është i një rëndësie qenësore për mbështetjen e të drejtave të fëmijëve, thanë nga UNICEF.

“Të rinjtë në këtë vend kanë treguar një lidership të vërtetë për çështjen e ndryshimeve klimatike. Ata kanë mbrojtur dhe mbështetur me sukses një politikë të re gjithëpërfshirëse dhe kanë treguar kapacitete të mëdha për inovacion dhe vullnet për të hartuar dhe zbatuar zgjidhjet e tyre në terren. Ky është një burim që duhet ta ushqejmë nëse duam të mbetemi një vend udhëheqës në veprimin dhe edukimin ndaj ndryshimeve klimatike”, tha Përfaqësuesja e UNICEF-it, Patrizia Di Giovanni.

Në dimrin e vitit 2021 mijëra të rinj nga Maqedonia e Veriut kontribuan në hartimin dhe miratimin e Deklaratës Rinore për Ndryshimet Klimatike, me të cilën u bënë thirrje vendimmarrësve të ndërmarrin veprime konkrete për ndryshimet klimatike dhe kërkuan më shumë mundësi për gjetjen e zgjidhjeve.

Nga UNICEF thonë se vazhdojnë të mbështesin Qeverinë në fuqizimin e fëmijëve dhe të rinjve në Maqedoninë e Veriut për të qenë agjentë të ndryshimit, me qëllim që të zvogëlohet cenueshmëria e komuniteteve si rezultat i ndryshimeve klimatike, të cilat minojnë të drejtat e fëmijëve në mbarë botën.

Me mbështetjen e Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim dhe Ambasadës Suedeze në Shkup dhe në bashkëpunim me ministritë kryesore është prezantuar një program gjithëpërfshirës për edukimin klimatik me një mori mundësish për edukim dhe angazhim të të rinjve për mjedisin jetësor dhe ndryshimet klimatike.

Nëpërmjet këtij programi UNICEF-i mbështeti Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe Byronë e Zhvillimit të Arsimit në krijimin e dokumenteve dhe politikave që përfshijnë qasje moderne dhe të bazuara në shkencë ndaj edukimit për ndikimin ndaj mjedisit jetësor dhe për ndryshimet klimatike. Si rezultat i kësaj janë zhvilluar kurrikula të reja, tekste shkollore, standarde gjithëpërfshirëse dhe kohezive të të mësuarit përmes të cilave edukimi për mjedisin jetësor dhe për ndryshimeve klimatike integrohet në disiplina të ndryshme.

Për të përforcuar kapacitetet për edukim për mjedisin jetësor për pothuajse 6.000 mësimdhënës u siguruan mjete praktike, udhëzues, trajnime dhe burime mësimore për ta lehtësuar punën e tyre praktike. Deri më tani në të gjithë vendin janë organizuar me mijëra aktivitete dhe eksperimente duke ju mundësuar kështu mbi 35.000 fëmijëve të kopshteve dhe shkollave fillore që përmes aktiviteteve praktike të përshtatshme për moshën t’i kuptojnë konceptet komplekse që lidhen me mjedisin jetësor dhe klimën.

Me këtë program u mbështet edhe themelimi i Rrjetit të mësimit përmes përvojës, i përbërë nga gjashtë institucione: Kopshti Botanik – Shkup, Instituti Hidrobiologjik – Ohër, Qendra Arsimore – Negrevë, Teknika Kombëtare, Shoqëria Ekologjike e Maqedonisë dhe Parku Nacional – Galiçica. Deri më tani ky Rrjet ka treguar potencial të jashtëzakonshëm për të ofruar aktivitete arsimore jashtëshkollore dhe punëtori për shkollat ​​në fushën e ndryshimeve klimatike dhe për të bashkuar të rinjtë përmes mundësive për angazhim në praktikë dhe ndërtim të aftësive. Punëtoritë në fazën pilot tashmë i kanë ndjekur rreth 500 nxënës.

Krahas kësaj, 300 të rinj morën pjesë në programin për inovacione sociale UPSHIFT, i cili zbatohet në partneritet me Fondin për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik dhe kështu fituan aftësi, mentorim dhe financim fillestar për të zbatuar 30 ide që kanë për qëllim zgjidhjen e sfidave ekologjike në komunitetet e tyre.

Edhe pse vendi ka bërë përparim të konsiderueshëm kjo dinamikë duhet të mirëmbahet duke ofruar mbështetje të vazhdueshme përmes krijimit të politikave, financimit për ndryshimet klimatike dhe vendimmarrjes së përgjegjshme, njëkohësisht duke pasur parasysh edhe efektet tek të drejtat e fëmijëve. Me këtë Koment të përgjithshëm, Komiteti për të Drejtat e Fëmijëve jo vetëm që përcjell dhe përforcon zërin e fëmijëve, por gjithashtu i definon qartë të drejtat e fëmijëve në lidhje me mjedisin jetësor të cilat shtetet anëtare duhet t’i respektojnë, mbrojnë dhe përmbushin, thanë nga UNICEF.

Nëpërmjet disa nismave konsultative të rinjtë në Maqedoninë e Veriut parashtruan pesë kërkesa të qarta: krijimin e hapësirës për të rinjtë që ata të jenë shtytës të zgjidhjeve për ndryshimet klimatike; vendimmarrësit t’i rishqyrtojnë modelet ekonomike dhe të gjejnë mënyra për t’i stimuluar industritë që të punojnë në mënyrë të qëndrueshme; të promovohet riparimi dhe ripërdorimi i produkteve, si dhe të bëhen produkte të qëndrueshme me jetëgjatësi më të gjatë; të decentralizohet prodhimi i energjisë me fokus më të madh në centralet për energji diellore; dhe të prezantohet edukimi mbi ndryshimet klimatike me mësim nëpërmjet përvojës.