Filloi edicioni i dytë i ‘Navigator’, lojë edukative për të drejtat e njeriut me shpërblime 

Europe House sot e lansoi dicionin e ri të “Navigator”, lojë edukative online e krijuar me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit për të drejtat e njeriut. Versioni i ri i lojës është i hapur për lojë nga sot, 25 nëntor, deri më 14 dhjetor në mesnatë, duke mundësuar pjesëmarrësve tre javë për të luajtur, mësuar dhe për të garuar për shpërblimin kryesor – një voucher IT në vlerë prej 60.000 denarësh, transmeton Portalb.mk

Edhe këtë vit, në kuadër të iniciativës #TeamEurope, ambasadat e vendeve anëtare të BE-së përsëri i bashkohen lojës, duke kontribuar me një numër të madh shpërblimesh, ndër të cilat një biçikletë, udhëtim në Gjermani, kurs të gjuhës spanjolle, bileta treni për udhëtim nëpër Evropë dhe shumë dhurata të tjera të vlefshme. 

Lojmund të luhet në gjuhën shqipe dhe maqedonase si dhe është e disponueshme online në: europehouse.mk/navigator.

“Për të marrë pjesë në short, lojtarët duhet të fitojnë së paku 1.000 pikë, pas së cilës automatikisht kualifikohen për shpërblimin kryesor – voucher IT në vlerë prej 60.000 denarësh, ndërsa 10 lojtarët e renditur më lart në tabelë do të marrin shpërblime speciale nga ambasadat e vendeve anëtare të BE-së. Loja mund të luhet pakufi herë gjatë gjithë periudhës, ndërsa pikë sjellin vetëm përgjigjet e sakta dhe të dhëna me kohë”, informojnë nga Europe House Shkup. 

Ndryshe nga viti i kaluar, këtë vit loja ka përmirësime të thelbësore të cilat e pasurojnë procesin e të mësuarit dhe e forcojnë aspektin interaktiv të lojës. Risi është edhe “Planeti Portokalli”, i dedikuar fushatës globale “16 Ditë Aktivizëm kundër Dhunës me Bazë Gjinore”. Planetët e tjerë vazhdojnë të trajtojnë tema nga fusha të ndryshme të lidhura me të drejtat e njeriut, por tani me përmbajtje të zgjeruar dhe një sistem loje të përmirësuar që ofron përvojë më dinamike dhe më interesante për përdoruesit. 

Fituesit e lojës do të shpallen në ceremoninë e ndarjes së çmimeve më 17 dhjetor 2025 në Europe House Shkup.