Filipçe tha se Mickoski refuzoi takimin e liderëve pa dëgjuar shpjegimin, VMRO: Venko dëshiron të rrisë rejtingun
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, pas seancës së Këshillit Nacional për Integrime Evropiane që ai kryeson në Kuvend, në përgjigje të pyetjeve gazetareske, e shpjegoi më hollësisht thirrjen e tij për takim liderësh, të cilën, siç tha ai, për fat të keq, kryeministri Hristijan Mickoski e refuzoi pa dëgjuar shpjegimin, transmeton Portalb.mk.
“Në fakt, kur diskutojmë për disa pika shumë të rëndësishme, siç është konsensusi kombëtar, kur të gjithë jemi të vetëdijshëm se duhet ta arrijmë atë, duke qenë gjithashtu shumë të vetëdijshëm se jetojmë në një vend shumëkombësh dhe multikulturor, besoj se kësaj çështjeje duhet t’i qasemi shumë seriozisht”, tha Filipçe.
Ai theksoi se nevojitet sqarim thelbësor i disa aspekteve të procesit. Një nga çështjet kryesore që, sipas Filipçes, duhet të diskutohet më hollësisht është interpretimi i protokolleve dhe puna e komisionit historik.
“Është e qartë se disa gjëra mund t’i lexojmë ndryshe, ndoshta t’i interpretojmë ndryshe. Nëse mendimi është ‘lundrues’ se komisioni historik mund të jetë pengesë në procesin e integrimit evropian, pas ndryshimeve kushtetuese, dhe në Protokollin 2 besoj se është shkruar qartë se askund kjo nuk është kusht, por përkundrazi, që qeveritë të inkurajojnë punën e komisionit historik. Të gjitha vendimet atje merren me konsensus, kështu që të dyja qeveritë duhet të bien dakord për vendimet përpara se të fillojnë të shqyrtohen pikat e tjera, pasi ato vijnë në rend të ditës”, tha Filipce.
Filipçe tha se nuk është i njohur me detajet e propozimit të presidentes së vendit, Gordana Siljanovska-Davkova, por se ai dhe LSDM do të mbështesin çdo propozim që do të përmirësojë pozicionin tonë negociues ose do të zhbllokojë rrugën tonë të integrimit evropian.
“Një gjë tjetër që mund të diskutojmë është gjetja e një mënyre për të modifikuar punën e komisionit historik. Le t’u kërkojmë ekspertëve të huaj të marrin pjesë në atë punë – për shembull, njerëzve që kanë përvojë në punën me tema të tilla. Gjermania me Poloninë, Gjermania me Austrinë. Ka hapësirë për diskutim mbi këto tema. Mendoj se gjëja më e keqe është të mos përpiqesh të bësh asgjë”, tha Filipçe.
Në këtë kontekst, kryetari i LSDM-së theksoi gjithashtu rëndësinë e angazhimit në kohë, në dritën e mesazheve aktuale nga Brukseli.
“Unë besoj se mesazhet e Presidentes së Këshillit Evropian dhe komisioneres evropiane Kaja Kallas janë shumë të qarta – se tani është koha që ne të arrijmë Malin e Zi dhe Shqipërinë, të cilat po bëjnë hapa të mëdhenj përpara, dhe pritjet janë që në një periudhë prej dy deri në tre, maksimumi katër vjetësh, ato mund të jenë tashmë në prag të BE-së”, theksoi Filipçe.
Ai theksoi se mbetet i përkushtuar ndaj një qasje konstruktive dhe se në të ardhmen do të vazhdojë të bëjë thirrje për unifikim dhe një qasje të përbashkët në vendimmarrjen për çështje të rëndësishme me interes kombëtar. Ideja mbetet që të gjitha këto tema të diskutohen në takim liderësh.
“Do të vazhdoj të bëj thirrje që të jemi konstruktivë, të gjejmë propozime që mund t’i diskutojmë. Megjithatë, kjo është një çështje për të cilën udhëheqësit e partive më të mëdha duhet të ulen së bashku, dhe në këtë kohë, sepse tani në BE ekziston qartë disponim për të mbështetur këtë proces, dhe këtë e shohim në shembujt e Shqipërisë dhe Malit të Zi”, përfundon Filipçe.
Nga ana tjetër VMRO thotë se Venko Filipçe nuk duhet ta rrisë rejtingun e tij përmes mundësive për takime liderësh.
“Pati një takim liderësh një muaj më parë dhe në këtë moment nuk shohim nevojë për të. Nëse Venko dëshiron takime, ai mund t’i zhvillojë ato me partnerët e tij të koalicionit, Ahmetin, Taravarin ose Dimçe Apasievin. Këta janë të njëjtët njerëz me të njëjtat vlera, thekson VMRO-DPMNE. Partia në pushtet beson se Filipçe ose nuk ka kontroll në parti dhe i shërben vetëm shokut të tij Zoran Zaev, ose dëshiron të marrë pjesë duke u ulur në tryezë. Filipçe me sa duket nuk e di se së pari duhet të rregullojë punët e shtëpisë, të etablohet si kryetar i një partie dhe pastaj të ketë hapësirë në tryezë për të diskutuar tema strategjike”, thonë nga VMRO.
Ata shtojnë se ai padyshim zgjodhi të ndiqte punën e Zaevit, “dhe të gjithë e dinë mirë se çfarë bëri Zaevi dhe çfarë bënë ata së bashku”.
“Filipçe, duke deklaruar se nuk ndien asnjë faj për Onkologjinë, tregon se motivohet vetëm nga interesi i zhveshur për paratë, pa marrë parasysh gjithçka që kanë kaluar pacientët e Onkologjisë. Filipçe është sinonim i korrupsionit dhe tradhtisë, kështu që është më mirë që ai të tregojë se ka sadopak njerëzi duke pranuar të paktën fajin për Onkologjinë. Venko Filipçe jo vetëm që nuk ka kontroll në parti dhe i shërben vetëm shokut të tij Zoran Zaev, por dëshiron gjithashtu të marrë pjesë duke u ulur në tryezë, me sa duket pa e ditur se së pari duhet të rregullojë shtëpinë e tij, të vendoset si kryetar i partisë dhe pastaj të ketë hapësirë në tryezë për të diskutuar tema strategjike. Filipçe padyshim zgjodhi të ndiqte vetëm punën e Zaevit, dhe të gjithë e dinë mirë se çfarë bëri Zaevi dhe çfarë bënë ata së bashku”, thuhet në reagimin e VMRO-së.
Kujtojmë se Prokuroria Publike së fundmi zbuloi informacione tronditëse në lidhje me hetimin e rastit “Onkologjia”. Drejtori mjekësor akuzohet për blerje të paligjshme të ilaçeve nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, dhe katër onkologë, përfshirë ish-drejtorin e Onkologjisë, janë të përfshirë në trajtimin e pacientëve.