Filipçe njoftoi ligj për tolerancë zero ndaj korrupsionit

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, njoftoi një Front për të vërtetën dhe drejtësinë që përfshin grupe të ndryshme shoqërore dhe subjekte politike, parti opozitare, aktivistë dhe organizata joqeveritare, të bashkuara rreth vlerave të, siç thotë ai, një Maqedonie evropiane, transmeton Portalb.mk.

Programi i Frontit përqendrohet në katër shtylla – tolerancë zero ndaj korrupsionit dhe drejtësi evropiane; një e ardhme për të rinjtë; një standard më i mirë jetese dhe një jetë dinjitoze për të gjithë; fshat dhe fermerë të fortë.

“Si kryeministër i ardhshëm, ligji i parë që do të nënshkruaj është ligji për tolerancë zero ndaj korrupsionit, menjëherë pas fitores së LSDM-së në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Lufta kundër korrupsionit duhet të jetë sistematike dhe efikase, me përfshirjen e drejtpërdrejtë të Zyrës së Prokurorit Evropian, e cila do të jetë në gjendje të hetojë rastet e korrupsionit të nivelit të lartë, duke përfshirë zyrtarët dhe tenderët e mëdhenj”, tha Filipçe në një konferencë për shtyp sot.

Përveç kësaj, parashikohet të futet deklarimi elektronik i pasurisë me verifikim përmes sistemeve të inteligjencës artificiale, mbrojtje dhe shpërblim për sinjalizuesit, si dhe krijimi i një regjistri publik të personave të dënuar për korrupsion. Një qytetar që raporton korrupsionin do të merrteshpërblim prej 5 deri në 15 përqind të fondeve të kthyera, me qëllim mbrojtjen e plotë të identitetit dhe inkurajimin e raportimit.

Në fjalimin e tij, Filipçe foli edhe për situatën ekonomike, duke vlerësuar se buxheti është në gjendje të keqe dhe duke akuzuar Qeverinë për keqmenaxhim të financave publike.

Ndryshe, megjithëse softueri për verifikimin e pasurive të zyrtarëve është vënë në funksion, ai ende nuk operon plotësisht për shkak të mungesës së integrimit me të gjitha institucionet që posedojnë të dhëna kyçe.

Aktualisht, sistemi i Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit është i lidhur vetëm me disa institucione si MPB-ja, DAP-i, Regjistri Qendror dhe Kadastra, ndërsa procesi i integrimit me institucionet e tjera vazhdon pa një afat konkret për përfundim. Kjo nënkupton se verifikimi i pasurisë së funksionarëve mbetet ende i pjesshëm dhe në shumë raste kërkon kontrolle manuale.

Në mungesë të një sistemi tërësisht të automatizuar dhe të një ligji funksional për prejardhjen e pasurisë, institucionet vazhdojnë të kenë vështirësi në evidentimin e plotë të pronës së zyrtarëve, sidomos në rastet kur pasuria nuk figuron drejtpërdrejt në emrin e tyre.