Festivali “Teuta” përkujtoi Qefajete Beqirin, ndërsa ndau mirënjohje për Vladimir Hasimin

Edicioni i 12 i Festivalit të Këngës së Vjetër Qytetare “Teuta”  mbrëmë mbushi sallën përplot me publik. Qendra e Kulturës jehoi nga zëra shumë të bukur dhe këngë të njohura burimore nga të gjitha trevat shqiptare. Të pranishëm ishin ansamblet popullore nga Tirana, Elbasani, Prishtina njofton Portalb.mk.

Drejtori Huseini ndau çmimin post- mortum për Qefajete Beqirin
Drejtori Huseini ndau çmimin post- mortum për Qefajete Beqirin

Mbrëmjen e hapi kori i grave “Teuta” që përbëhet nga zonjat e vyera të qytetit të Tetovës, shumica të pensionuara në profesione fisnike. Ato ishin dhe nikoqiret e këtij festivali që sivjet kishte edicionin e dymbëdhjetë me radhë. Drejtori i Qendrës Kulturore Arlind Huseini tha se ky festival për nga rëndësia është më seriozi dhe se i kushtohet shumë rëndësi bashkë me këshillin e formuar me artistët e njohur si Besarta Murtezanin, Jetmir Rexhepin dhe Jeton Pustinën. Emra këto të njohur pasi lidhen ngushtë me “Xheladin Xeqirin” dhe korin “Teuta”.

Post mortum u nderua emri i ish- anëtares së korit Qefajete Beqirit për themelimin dhe kontributin e veçantë në korin e grave të Tetovës “Teuta”. Në emër të familjes, çmimin e pranoi djali i të ndjerës, profesori Ilirjan Beqiri.

Orkestrën “Teuta” e drejtoi Bekim Ramadani, ndërsa e dirigjoi Anita Alii.

“Ky festival është një platformë e rëndësishme për të promovuar trashëgiminë kulturore të muzikës së vjetër qytetare shqiptare dhe për të festuar vlerat kulturore në Tetovë.” – thuhet në faqen zyrtare të festivalit.

Vladimir Hasimi shoqëron Besarta Murtezanin dhe Jetmir Rexhepin në këndim
Vladimir Hasimi shoqëron Besarta Murtezanin dhe Jetmir Rexhepin në këndim

Pjesëmarrës ishin ansamblet e njohura shtetërore nga Tirana dhe Prishtina si dhe ansambli nga Elbasani, të cilat sollën një frymë përbashkuese pasi i shërbejnë kulturës së njejtë. Drejtori artistik i Ansamblit “Shota” Ylber Asllanaj tha se ky festival e ka për qëllim kultivimin dhe ruajtjen e kulturës dhe traditës shqiptare pasi i shërbejnë trashëgimisë së një kombi, kështu ansambi i tyre kishte dy këngë elbasanase edhe pse është i Prishtinës edhe pse vet Elbasani ishte i pranishëm me repertorin e vet. Këto takime janë me rëndësi të veçantë dhe shumë të dashura mes publikut shqiptar që kënaqet duke shijuar këngët shqipe.

Mirënjohje u nda edhe për udhëheqësin e orkestrës së Ansamblit Kombëtar të Tiranës Vladimir Hasimin i cili para disa muajsh edhe u pensionua. Ladi, siç e njohin të gjithë lavdëroi punën që bëhet me Ansamblin ” Shota” si dhe punën e drejtorit Asllanaj i cili është shembull se si drejtohet një ansambël, sipas tij.

Kori'' Teuta'' dhe dirigjentja Anita Alii
Kori” Teuta” dhe dirigjentja Anita Alii

Festivali “Teuta” është një mundësi e jashtëzakonshme për të kultivuar dhe për të festuar muzikën e vjetër qytetare dhe për të ndihmuar në transmetimin e trashëgimisë kulturore te brezat e rinj.

Shumë instrumentistë, shumë këngëtarë me veshje popullore të zonave, me këngë nga më të ndryshmet që siç theksoi dhe Drejtori i ” Shotës”  Mehmet Xhemajli jemi ndër të rrallët popuj të Ballkanit me një pasuri të tillë veshjesh, këngësh, vallesh pasi dhe vet i kishte studiuar si profesor i koreografisë. Besarta Murtezani solli një duet të mrekullueshëm me Jetmir Rexhepin të shoqëruar në harmonikë nga Vladimir Hasimi. Po ashtu korin e shoqëruan këngëtarët e rinj si Melisa Loki dhe Leotrim Zejnullahi. Solistët tjerë të grupeve artistike u prezantuan denjësisht duke sjellë këngë me timbre të veçanta interpretimi.